Zyrtarët kinezë po përballen me detyrën gjigande të ndjekjes së personave që kanë vizituar tregun në Xinfadi.
Në kryeqytetin Kinez, Pekin, do të rivendosen kufizimet e karantinës për rreth 21 milionë njerëz për shkak të frikës nga një valë e dytë potenciale e Coronavirusit dhe përhapjes në rajone të tjera.
Në fillim të javës kryeqyteti kinez u detyrua të mbyllë shkollat, baret, restorantet dhe disa komplekse rezidenciale pas rritjes së numrit të infektimeve.
Rastet e reja u gjurmuan në tregun më të madh me shumicë të qytetit Xinfadi, i cili gjithashtu u mbyll, megjithëse prej tij vjen rreth 80 për qind e mishit dhe perimeve të kryeqytetit.
Shifra e rasteve të reja në Pekin qëndron në 158 persona.
Kreu i qendrës së parandalimit të sëmundjeve në Pekin, Pang Xinghuo, tha se: “Përhapja është në rritje. Duke marrë në konsideratë tregun e shumicës si epiqendër, ajo mund të rritet akoma.”
Ndërkohë zyrtarët kinezë po përballen me detyrën gjigande të ndjekjes së personave që kanë vizituar tregun në Xinfadi.
Dje një gazetar i rrjetit AP raportonte se kishte qenë duke bërë foto pranë tregut në Xinfadi, pa u futur brenda. Por më vonë kishte marrë një telefonatë nga autoritetet vendore që i thanë se duhet të shkonte në një stadium aty pranë që shërben si qendër testimesh.
Gazetari tha se telefonuesi nuk e dinte emrin e tij por sistemet kompjuterike kishin bërë lidhjen mes numrit të tij të telefonit dhe vendndodhjes së afërt me tregun./Insajderi.com