Derbi i xhiros së 16-të në EBC Ligën e Femrave i takoi Penzës, që pas vazhdimeve shënoi fitore ndaj Bashkimit 83:78 (12:15, 22:17, 24:24, 12:14, 13:8), njofton Insajderi.
Takimi ishte shumë interesant dhe dramatik deri në fund. Çereku i parë ishte i barabartë derisa përfundoi 12:15 për vashat mysafire. Por, skuadra pejane kundërpërgjigjet në periodën e dytë, duke e fituar 22:17, për të shkuar në pushim me shifrat 34:32.
Lojë tërësisht e barabartë ishte në periodën e tretë, që përfundoi 24:24, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash 58:56. Lojë dramatike u zhvillua edhe në 10 minutat e fundit, por që nuk kishte fitues 70:70 dhe përballja shkoi në vazhdime. Po ashtu edhe në vazhdime ishte ndeshje interesante, por vendaset u treguan më të vëmendshme dhe fituan 83:78.
Te Penza më e dalluara ishte Gabrielle Cooper me 23 pikë, 13 kërcime dhe nëntë asistime, ndërsa te Bashkimi më e mira ishte Aisha Balarabe me 15 pikë e 17 kërcime.
Skuadra pejane ka 10 fitore e gjashtë humbje, kurse ajo prizrenase 14 fitore dhe dy humbje.
Vëllaznimi ka shënuar fitore të pritur ndaj Kastriotit 108:78 (29:25, 23:19, 30:13, 26:21).
Te skuadra kuqezi u dalluan dyshja amerikane Raven Baker me 45 pikë, 14 kërcime e 15 asistime dhe Sarah Mgbeike me 36 pikë, 28 kërcime dhe shtatë asistime, kurse te Kastrioti u dalluan Agnesa Rrahmani me 37 pikë, Andrea Iavarone me 14 pikë e 14 kërcime dhe Armani Alexander me 20 pikë.
Vëllaznimi ka 11 fitore dhe pesë humbje, ndërsa Kastrioti dy fitore dhe 14 humbje.
Prishtina ka shënuar fitore bindëse ndaj Trepçës 107:34 (29:6, 26:18, 31:3, 21:7). Gjashtë lojtare shënuan pikë dyshifrore te skuadra prishtinase, por më e dalluara ishte Alexis Tolefree me 21 pikë, derisa te skuadra mitrovicase u dallua Allison Johnson me 28 pikë.
Prishtina ka 10 fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa Trepça një fitore dhe 15 humbje. /Insajderi.com