Për fyerjen e mbretit, gruaja tajlandeze dënohet me 43 vjet heqje lirie

Për fyerjen e mbretit, gruaja tajlandeze dënohet me 43 vjet heqje lirie

Një gjykatë tajlandeze dënoi sot një grua me mbi 43 vjet burg për fyerjen e mbretit, transmeton Insajderi.

Gjykata penale fillimisht e dënoi gruan me 87 vjet burg, megjithatë, pas pranimit të fajit, dënimi i saj u përgjysmua në 43 vjet e gjashtë muaj, sipas të përditshmes lokale Bangkok Post.

60 vjeçarja Anchan Preelert, një ish-nëpunëse civile, u dënua për shpërndarjen e klipeve në rrjetet sociale ku fyhet monarkia.

Në vitin 2015, ajo u arrestua për publikimin e 26 klipeve në YouTube dhe Facebook me zërin e një burri.

Ky vendim gjyqësor vendosi një rekord të ri për ndëshkimet për shkeljen e ligjit për fyerjen e mbretit. Në vitin 2015, një person u dënua me 70 vjet për një vepër të ngjashme. /Insajderi.com