James The G.O.A.T

“Për Kobe” – Lebron James udhëhoqi LA Lakers drejt titullit të 17 në NBA (VIDEO)

LeBron James tashmë është gozhduar në histori të basketbollit në NBA dhe atij botëror. Në një garë veç me vetën e tij, ai ka arritur tek titulli i katërt në NBA, me tri ekipe të ndryshme. Vetëm në sezonin e dytë në LA Lakers, ai bëri çfarë premtoi. Mori ekipin e Qytetit të Engjëjve nga fundi i ligës ku kishte ngecur dhe e riktheu në majat e basketbollit aty ku takon historikisht. Ky është James. Këta janë LA Lakers. Dhe ky është titulli i 17 i tyre.

“Për Kobe” – Lebron James udhëhoqi LA Lakers drejt titullit të 17 në NBA (VIDEO)

Los Angeles Lakers, të udhëhequr nga LeBron James që shënoi dyshifror të trefishtë, kanë mposhtur Miami Heat 106-93, të dielën mbrëma, për të fituar titullin e 17 në ligën më të fortë të basketbollit – NBA, njofton Insajderi.

James ia shtoi edhe një kapitull karrierës së tij epike, duke shënuar 28 pikë, 14 kërcime dhe 10 asistime, për të fituar titullin e tij të katërt me ekipin e tretë tashmë.

Ai gjithashtu u zgjodh Lojtari më i Vlefshëm i Finaleve. Edhe ky çmim vjen për herë të katërt.

“Është tejet domethënëse për të përfaqësuar këtë ekip të madh”, tha James. “Doja ta sjellë këtë ekip përsëri aty ku takon. Të jem pjesë e këtij ekipi për mua është një ndjenjë e pabesueshme”.

James luajti ndeshjen e 206 vetëm në play-off, duke e kaluar kështu Derek Fisher-in, për më së shumti ndeshje të luajtura pas sezonit të rregullt në histori.

Anthony Davis, duke luajtur në finalet e tij të para, pas disa viteve frustrim tek New Orleans, shtoi 19 pikë, 15 kërcime, derisa Lakers përmbylli finalet me katër fitore dhe dy humbje, tetë muaj pas vdekjes tragjike të legjendës së klubit, Kobe Bryant – i cili udhëhoqi Lakers drejt titullit 10 vjet më parë, në vitin 2010.

Klubi ia kushtoi këtë fitore pikërisht Bryant-it.

“Kobe, e di se po na shikon nga lart dhe është tejet krenar”, tha Davis. “Na mungon, dhe ky titull definitivisht është për të”./Insajderi.com