Për pesë muaj ATK-ja mblodhi rreth 243 milionë euro

Për pesë muaj ATK-ja mblodhi rreth 243 milionë euro

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka deklaruar se ky institucioni gjatë periudhës së parë pesë mujore të vitit 2021, ka arritur të inkasojë rreth 243 milionë euro, ku krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar rezulton që ka rreth 57 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër, shkruan Insajderi.

Murtezaj ka thënë pse janë rreth 24 milionë euro më tepër të grumbulluara se sa që është planifikuar për këtë periudhë.

“Gjatë kësaj periudhe pesë mujore të këtij viti mund të themi që kemi një rikthim të normalitetit të pagesës së tatimeve ku performanca e deritanishme tregon se jemi në një trend jashtëzakonisht të mirë duke arritur që të inkasojmë rreth 243 milionë euro, shumë kjo e cila nëse krahasohet më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar rezulton që kemi rreth 57 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër. Kurse nëse e krahasojmë me planin kemi rreth 24 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër sesa plani për këtë periudhë që është paraparë me buxhetin e vitit”, është shprehur ai për ‘EO’.

Po ashtu drejtori i ATK-së, ka njoftuar se kjo periudhë kohore karakterizohet edhe me rritje prej 27 për qind të qarkullimit, që kap vlerën e 822 milionë eurove.

“Në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, kemi një rritje rreth 27 për qind të qarkullimit apo shprehur në vlera rreth 822 milionë euro qarkullim i rritur. Këta janë indikatorë që na bëjnë të besojmë që të ngritën edhe tragetet për pjesën e mbetur të vitit”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër Murtezaj, ka treguar se bizneset për shkak të pandemisë kanë akoma vështirësi në kryerjen e obligimeve ndaj ATK-së, por që ky institucion brenda mundësive ligjore i ka mirëkuptuar ato.

“Vështirësi kemi sepse ende kemi biznese të cilat nuk kanë arritur të rikthehen në normalitet. Ende kanë vështirësi në likuiditetin e tyre dhe kanë probleme edhe më vetë operimet e tyre, dhe njëkohësisht probleme me tatime. Për këtë ne si institucion në vazhdimësi që nga fillimi i pandemisë dhe viteve paraprake jemi munduar që t’i mirëkuptojmë brenda mundësive ligjore dhe t’i japim hapësirë që pagesa e tatimeve të mos jetë shkaktarë që bizneset të falimentojnë ose t’u vështirësohet zhvillimi i bizneseve të tyre. Këto raste ligji e parasheh që kur kanë bizneset vështirësi financiare të bëhet programimi i borxhit, pagesë e detyrimit të papaguar me këste. Në këtë drejtim në vitin 2020 kemi rritur trefish borxhin e programuar në raport me vitin 2019”, ka thënë ai.

Sipas Mutezajt, edhe pse bizneset kanë pasur mundësi për kryerjen e obligimeve përmes vendimit për faljen e ndëshkimeve të borxheve një gjë të tillë pak prej tyre e kanë bërë./Insajderi.com