Përfaqësuesja e Kosovës në futsall befasohet nga Mozambiku

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall befasohet nga Mozambiku

Kombëtarja e Mozambikut ka befasuar përfaqësuesen e Kosovës në fusall, duke e mundur me rezultat 2:1 në ndeshjen e fundit të Grupit A në kuadër të turneut kontinental të futsallit që po mbahet në Tajlandë, shkruan Insajderi.

Paraqitjet e zbehta të lojtarëve të Kosovës i dhanë mundësinë mozambikëve që ta mbyllin pjesën e parë me dy gola epërsi.

Disavantazhi i papritur prej dy golash, bëri që nervozizmi te “Dardanët” të rritej, dhe si pasojë e kësaj nuk arriti të bëhej përmbysja e rezultatit, përveç ngushtimit të rezultatit me golin e Jeton Rukovcit në minutat e fundit ë ndeshjes.

Paraqitja e sotme e ka lënë tejet të zhgënjyer edhe përzgjedhësin Arben Simitçiu, i cili vlerësoi se lojtarët e tij në këtë takim e nënçmuan kundërshtarin.

“Jam shumë i zhgënjyer me rezultatin e sotëm, sepse Mozambiku nuk është kundërshtar i cili mundet në rrethana normale të na mundë. Sot nuk kemi qenë vetvetja sepse kemi hyrë në lojë të shpërqendruar dhe me nënçmim të kualitetit të kundërshtarit”, ka thënë Simitçiu.

Pas humbjes ndaj Uzbekistanit dhe barazimit me Tajlandën, “Dardanët” vlerësoheshin favoritë për ndeshjen kundër Mozambikut, e cila në dy ndeshjet e para kishte pësuar humbje./Insajderi.com