Përgjysmohen investimet e huaja në Kosovë

Përgjysmohen investimet e huaja në Kosovë

Në pesë vitet e fundit, në sytë e investitorëve të huaj, Kosova nuk është parë vend atraktiv për të investuar. Investimet pothuajse janë përgjysmuar. Sipas njohësve të ekonomisë, kjo për shkak të korrupsionit dhe situatës të pafavorshme politike në vend.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, thotë se është shqetësues fakti që korrupsioni ka ndikuar në rënien e investimeve të huaja në Kosovë dhe që ka penguar zhvillimin ekonomik.

Për këtë Ujkani ka kërkuar nga Qeveria e re që të punojë fort për përmirësimin e klimës të të bërit biznes.

“Prezenca e korrupsionit në një shoqëri ashtu si i dëmton të gjitha aspektet tjera pashmangshëm e dëmton edhe zhvillimin ekonomik dhe rrjedhimisht edhe investimet e huaja”, thekson Ujkani, për KP.

Sipas tij ka rënie të dukshme të investimeve të huaja dhe stagnim, që siç thotë ai, duhet trajtuar me prioritet të lartë nga institucionet përkatëse.

Kreu i Këshillit të Investitorëve Evropianë ka kërkuar nga Qeveria e re zbatimin e ligjeve që ndërlidhen me investimet, si dhe ndërhyrjen e përmirësimit të klimës të të bërit biznes.

“Qeveria e re duhet të merret më konkretisht me zbatimin e ligjeve që lidhen në fushën e të bërit biznes në vendin tonë, aty ku është e nevojshme të ndërhyjë dhe ta përmirësojë këtë klimë. Dhe kjo është mënyra se si mund të ecim përpara më së miri”, thekson Ujkani.

Në anën tjetër, sipas BQK-së Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë në 2020 pati investime 321.7 milionë euro, ndërsa më 2019 ishin 254.6 milionë euro, ose 67 milionë më pak.

Përkundër trendit pozitiv të IHD-ve në vitin 2019 (një rritje e vogël) në krahasim me vitin 2018, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, IHD-të pësuan rënie të konsiderueshme gjatë vitit 2018 dhe 2017, duke lënë Kosovën si një vend jo tërheqës për investime të huaja e sidomos larg tërheqjes së investimeve nga korporatat dhe markat e mëdha botërore./Insajderi.com