Përkujtohen 3 fëmijët që u dogjën nga babai australian

Përkujtohen 3 fëmijët që u dogjën nga babai australian

Më shumë se një mijë persona morën pjesë në përkujtimin e gruas së quajtur Hannah Clarke, 31 vjeçe, dhe fëmijëve të saj të moshës 3, 4 dhe 6-vjeçare në Brisbane të Australisë. Të gjitha viktimat u dogjën të gjalla në veturë nga babai i fëmijëve.

Vendi ku u mbajt tubimi përkujtues është afër lokacionit ku ndodhi ngjarja tragjike. Babai i fëmijëve, Rowan Baxter, të mërkurën ia vuri flakën veturës në të cilën ndodheshin gruaja dhe tre fëmijët e tij.

I veshur me këmishë ngjyrë rozë, që ishte ngjyra e preferuar e Hannah-s, babai i saj i falënderoi të gjithë njerëzit që ishin mbledhur për t’i përkujtuar viktimat e këtij akti të tmerrshëm.

“Nuk e di si mund t’jua kthejmë këtë mirësjellje. Nuk mund t’ju njohim të gjithëve, por ju e përqafuat familjen tonë kur e tërë bota jonë u shemb e për këtë jemi sinqerisht mirënjohës”, tha Lloyd Clarke.

Ai foli për krenarinë që e ndiente për arritjet e vajzës së vet dhe për gëzimin që ia kishin sjellë dy mbesat dhe nipi, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Shumë lule dhe lodra fëmijësh u lanë nga personat e pranishëm në përkujtim të viktimave.

Babai i fëmijëve e kishte lagur veturën me benzinë dhe ia kishte vënë flakën në kohën kur nëna e tyre po i përcillte për në shkollë.

Tre fëmijët vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa nëna e tyre vdiq më vonë në spital.