Pesë të vdekur në sulmin me shigjetë në Norvegji

Pesë të vdekur në sulmin me shigjetë në Norvegji

Pesë persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në Norvegji pasi një burrë përdori një hark dhe shigjetë për t’i sulmuar ata.

Sulmi ka ndodhur në qytetin Kongsberg, në jug-perëndim të kryeqytetit Oslo, në orën 18:13 me orën lokale (16:13 GMT).

Një danez i moshës 37 vjeç është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e sulmit, shkruan BBC, transmeton Insajderi.com.

Policia beson se ai ka vepruar vetëm dhe do të hetojë nëse ishte një akt terrorizmi, tha një zëdhënës.

Kryeministrja Erna Solberg tha se raportet për incidentin ishin “tmerruese”.

“Unë e kuptoj që shumë njerëz kanë frikë, por është e rëndësishme të theksohet se policia tani është në kontroll,” tha ajo në një konferencë shtypi.

Sulmuesi thuhet se ka nisur sulmin brenda një supermarketi Coop Extra në anën perëndimore të Kongsberg. Një nga të plagosurit ishte një oficer policie jashtë detyrës i cili ishte në dyqan në atë kohë.

Një dëshmitar i tha televizionit lokal TV2 se kishte dëgjuar një rrëmujë dhe kishte parë një grua duke u mbuluar, pastaj një “burrë që qëndronte në qoshe me shigjeta në një kukurë në shpatull dhe një hark në dorën e tij”.

“Më pas, pashë njerëz që vraponin për jetën e tyre. Njëra prej tyre ishte një grua që mbante një fëmijë nga dora”, shtoi ajo.

Oficerët gjithashtu po hetonin nëse sulmuesi përdori armë të tjera gjatë incidentit, u tha gazetarëve shefi i policisë Kongsberg.

I dyshuari u zhvendos në një zonë të madhe dhe autoritetet rrethuan disa pjesë të qytetit. Banorët u urdhëruan të qëndrojnë brenda në mënyrë që autoritetet të mund të ekzaminojnë vendin e ngjarjes dhe të mbledhin prova./Insajderi.com