
Portieri i Evertonit, Jordan Pickford nuk e imagjinonte kurrë se duhet të ketë frikë për jetën e tij, pasi është kërcënuar me jetë në rrjetet sociale nga tifozë të Liverpool, njofton Insajderi.
Sipas mediave angleze, futbollisti i kombëtares së Anglisë ka punësuar disa truproja pas kërcënimeve me vdekje që ka marrë në rrjetet sociale për ndërhyrjen e rëndë që shkaktoi në ndeshje ndaj mbrojtësit të Liverpool, holandezit Virgil Van Dijk.
I frikësuar për veten dhe familjen e tij, portieri 26 vjeçar i ka kërkuar një eksperti të sigurisë që të vendosë truproja në banesën e tij si dhe të krijojë një rrethim mbrojtës në shtëpinë e tij.
Lajmi ka befasuar Britaninë e Madhe dhe shumë ndjekës në rrjetet sociale janë solidarizuar me Pickford, ndërkohë policia e Mersyside ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
Mosdënimi nga Federata Angleze për dëmtimin e Virgil Van Dijk i ka acaruar disa prej tifozëve të Liverpool, të cilët e kanë tepruar duke kërcënuar me jetë portierin e Evertonit dhe Anglisë.
Mbrojtësi holandez Van Dijk do të qëndrojë larg fushave për një kohë të gjatë pasi duhet t’i nënshtrohet operacionit në gju. /Insajderi.com