Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, shfaqet në konferencën për shtyp përpara sfidës së nesërme ndaj Cagliarit, ku deklaron se kampionati i “bardhezinjve” nis zyrtarisht tani dhe ambientimi me kampionatin ka përfunduar, njofton Insajderi.
Pirlo fillimisht foli për ndeshjen e nesërme kundër ekipit nga Sardenja, duke thënë: “Për ne është një sfidë vendimtare. Kampionati jonë duhet të fillojë tani dhe se periudha e ambientimit me kampionatin ka përfunduar. Nga tani e deri në Krishtlindje kemi 10 finale për ti luajtur, dhe dua të shoh menjëherë karakter të ndryshëm dhe luftarak për të arritur rezultatet”.
Më tutje, ish-mesfushori italian, vazhdon: “Dua një skuadër ku lufton për rezultatin. Ku ka uri për të fituar ndeshjet, që do të thotë të njëjtin Juventus që kemi parë gjithë këto vite”, ishin fjalët e trajnerit “bardhezi”.
Duhet cekur që Juventus deri tani nuk ka filluar kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi momentalisht e gjen veten në pozitën e pestë në tabelë me 13 pikë pas shtatë javësh. /Insajderi.com