Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, del në konferencën për shtyp përpara sfidës derbi ndaj Torinos e cila është e programuar të zhvillohet nesër (të shtunën) me fillim nga ora 18:00, njofton Insajderi.
“Përballja me Torinon do të jetë e vështirë, sepse është gjithmonë një derbi. Është një derbi i rëndësishëm për të dy tifozeritë. Kam patur fatin të jem disa herë pjesë e këtij derbi, të fitoj dhe të shënoj gola të rëndësishëm. Është gjithmonë një lojë e bukur për të luajtur sepse ka kaq shumë emocione brenda. Shpresojmë të kemi një ndeshje të bukur”, tha fillimisht Pirlo.
“Torino ka një ekip të mirë, të ndërtuar mirë dhe me një trajner të shkëlqyer. Kohët e fundit ai ka ndryshuar diçka, por gjithmonë shpreh një futboll proaktiv me elementë të mirë në të gjitha repartet. Do të jetë një ndeshje e vështirë për të luajtur”, ishin fjalët e trajnerit të Juventus për ekipin rival të qytetit. /Insajderi.com