Oficeri policer i Minneapolis, Derek Chauvin, mund të marrë më shumë se 1 milion dollarë si benefite pensionale pasi të dalë në pension, edhe nëse ai dënohet nga gjykata për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd, njofton CNN, transmeton Insajderi.
Chauvin ka qenë subjekt i zemërimit kombëtar që nga muaji i kaluar, kur anë e mbanë botës u shpërndanë imazhet e tija duke shtypur me gjurin e tij në qafën e Floyd për plot nëntë minuta, ndonëse ai i lutej që të ndalej.
Ai menjëherë u pushua nga departamenti policor në të cilin kishte punuar që nga viti 2001. Në mes të protestave nacionale kundër racizmit, ai është i akuzuar për vrasje të shkallës së dytë. Tre oficerë të tjerë të përfshirë në këtë incident, po ashtu janë pushuar nga puna dhe përballen me akuza kriminale.
Por duket se Chauvin ka ende mundësi që të përfitojë nga pensioni, një pjesë e të cilit paguhet nga taksa-paguesit amerikanë. Përderisa një pjesë e shteteve amerikane aplikojnë heqjen e pensioneve për punonjësit policorë që kryejnë krime lidhur me punën e tyre, ky nuk është rasti i shtetit të Minesotas.
CNN e ka konfirmuar edhe me departamentin e policisë të Shtetit të Minesotas dhe me shoqatën e pensionimit, se 44 vjeçari Chauvin do të mund të aplikojë për pensionin e tij, sapo të bëhet 50-të vjeçar, megjithatë këto institucione nuk kanë dhënë ndonjë shifër se sa do të marrë ai. /Insajderi.com