Dymbëdhjetë vetë janë arrestuar pas sulmit në Londër, i cili ka lënë shtatë persona të vdekur dhe 48 të plagosur.
Arrestimet ndodhen në lagjen Barking, në lindje të Londrës, pasi policia britanike bastisi një banesë që i përket një prej tre sulmuesve.
Një furgon i bardhë ka goditur këmbësorët në Urën e Londrës rreth orës 22:00 të shtunën, pastaj tre persona kanë dalë dhe kanë therur njerëz në një lokal pranë marketit “Borough”, raporton BBC. Ata u vranë nga policia disa minuta më vonë.
Duke dënuar sulmin, kryeministrja britanike Theresa May tha se është “koha për të thënë se mjaft është mjaft”.
Ky është sulmi i tretë terrorist në Mbretërinë e Bashkuar në tre muaj, pas sulmit me makinë dhe me thikë në Westminster në muajin mars, i cili la pesë të vdekur dhe bombardimin në Mançester, para rreth dy javësh, ku u vranë 22 vetë. /Insajderi.com