Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, ka deklaruar se Kina kreu “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit” në trajtimin e saj ndaj ujgurëve muslimanë dhe pakicave etnike të tjera në rajonin e saj autonom Xinjiang, transmeton Insajderi.
Në një deklaratë një ditë para se presidenti i zgjedhur, Joe Biden, të marrë zyrtarisht detyrën, Pompeo lavdëroi SHBA-të për “udhëheqjen e botës në mbajtjen përgjegjës të autorëve të abuzimeve të tmerrshme të të drejtave të njeriut”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai tha se SHBA dokumentoi veprimet e Kinës në Xinjiang që nga marsi i vitit 2017 dhe se autoritetet lokale kineze rritën fushatën e tyre të shtypjes kundër ujgurëve dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare, përfshirë kundër kazakëve dhe kirgizëve.
“Pas ekzaminimit të kujdesshëm të fakteve të disponueshme, unë kam përcaktuar se që nga marsi i vitit 2017, Republika Popullore e Kinës nën drejtimin dhe kontrollin e Partisë Komuniste Kineze (CCP) ka kryer krime kundër njerëzimit, kryesisht kundër ujgurëve muslimanë dhe anëtarëve të tjerë të grupeve të pakicave etnike dhe fetare në Xinjiang”, tha Pompeo.
Sipas tij, ato përfshijnë burgim arbitrar, heqje të lirisë fizike, tortura, punë të detyruar dhe kufizime të lirisë së fesë.
“Unë besoj se ky gjenocid është duke vazhduar dhe ne jemi dëshmitarë të përpjekjes sistematike për të shkatërruar ujgurët nga partia, shteti kinez”, tha Pompeo.
Pompeo kërkoi që Kina të lirojë menjëherë ata që janë ndaluar dhe të përfundojë sistemin e saj të internimit, kampeve të paraburgimit, arrestit shtëpiak dhe punës së detyruar.
Ai po ashtu tha se Kina duhet t’u japë fund masave shtrënguese të kontrollit të popullsisë, abortit të detyruar dhe largimit të fëmijëve nga familjet e tyre, si dhe të gjitha torturave dhe abuzimeve në vendet e paraburgimit.
Rajoni Xinjiang është shtëpi e 10 milionë ujgurëve. Ky grup musliman, i cili përbën rreth 45 për qind të popullsisë në Xinjiang, prej kohësh ka akuzuar autoritetet për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik.
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të Kombeve të Bashkuara (OKB), deri në 1 milionë njerëz apo rreth 7 për qind e popullsisë muslimane në Xinjiang kanë qenë të burgosur në një rrjet në zgjerim të kampeve të “riedukimit politik”.
Kampet janë lidhur me punën dhe sterilizimin e detyrueshëm. /Insajderi.com