Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se së shpejti do të niset drejt Ukrainës, por pa dhënë asnjë datë mbi vizitën e tij të planifikuar në këtë vend me rëndësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Presidentit Donald Trump në Senat.
![Pompeo: Së shpejti do vizitoj Ukrainën](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2019/05/Pompeo1-kUbD-621x414@LiveMint-730x440.jpg)
“Do të shkoj në Ukrainë së shpejti” tha zoti Pompeo gjatë një interviste për kompaninë mediatike Bloomberg gjatë vizitës në Kingston të Xhamajkës.
Komentet e tij vijnë ndërsa në Senat po mbahen deklaratat e hapjes nga një grup anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve. Senati i udhëhequr nga republikanët duhet të vendosë nëse do të largojë ose jo nga detyra Presidentin Trump, ndaj të cilit muajin e kaluar Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët ngriti akuzat për abuzim me detyrën dhe pengim të hetimeve të Kongresit.
Demokratët e kanë akuzuar zotin Trump se ka ushtruar presion ndaj autoriteteve në Ukrainë për të nisur një hetim ndaj ish-Nënpresidentit demokrat Joe Biden, një rival politik i tij si dhe pengim të hetimit që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.
Në fillim të këtij muaji zoti Pompeo shtyu një udhëtim të planifikuar për në Ukrainë, i cili kishte për qëllim të ripohonte mbështetjen amerikane për këtë vend, për t’u përqendruar tek situata në Irak pasi demonstrues sulmuan ambasadën amerikane atje.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Ukrainën në përpjekjet e saj ndaj rebelëve të mbështetur nga Rusia si dhe për të rimarrë Krimenë e pushtuar nga Moska në vitin 2014.