Ponte Prizreni mposht Pejën, shënon fitoren e pestë radhazi

Ponte Prizreni mposht Pejën, shënon fitoren e pestë radhazi

Ponte Prizreni ka shënuar fitoren e pestë radhazi, duke mundur Pejën në udhëtim me rezultat 79:93 (20:30, 17:24, 19:16, 23:23), në kuadër të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll, njofton Insajderi.

Ponte kishte udhëtuar vetëm për fitore dhe kjo u pa nga fillimi i ndeshjes, ku fituan çerekun e parë 20:30. Prizrenasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë 17:24, duke shkuar në pushim me shifrat 37:54.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e baraspeshuar. Pejanët fituan periodën e tretë, 19:16, kurse ajo e katërt përfundoi 23:23. Kjo mjaftoi që Ponte Prizreni të triumfonte në fund me rezultat 79:93.

Te Peja më i miri ishte Drilon Hajrizi me 31 pikë, 13 kërcime e 10 asistime, derisa te Ponte Prizreni, Joshua Martin me 23 pikë e 14 kërcime.

Të dy skuadrat tani kanë nga shtatë fitore dhe tri humbje. /Insajderi.com