Ponte Prizreni ka mundur Vëllaznimin 109:106 (29:31, 22:13, 23:28, 20:22, 15:12), duke u kualifikuar në gjysmëfinale të Final 8 Kupa e Kosovës, njofton Insajderi.
Ndeshja e nisi e baraspeshuar, ku Vëllaznimi u treguar arrë e fortë dhe e fiton çerekun e parë 29:31. Por, prizrenasit ishin më të mirë në periudhën e dytë, duke e fituar 22:13, për të përfunduar pjesën e parë 51:44.
Por, ‘kuqezinjtë’ me kalimin e minutave fillojnë të afrohen në rezultat, ku shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 74:72.
10 minutat e fundit ishin shumë interesante dhe dramatike. Ponte e filloi më mirë këtë pjesë, por ‘kuqezinjtë’ sërish rikthehen dhe barazojnë shifrat në 94:94 dhe fituesi është dashur të përcaktohet në kohën shtesë.
Ponte ishte më e mirë në vazhdime, duke pasur epërsi në 107:100, ndërsa Vëllaznimi arriti të afrojë shifrat në 107:106, por pa arritur të bëjë më shumë dhe Ponte Prizreni triumfon 109:106.
Te Ponte Prizreni u dalluan Arti Hajdari me 31 pikë, Jermaine Paige me 23 dhe Divine Myles me 20, kurse te Vëllaznimi u dalluan Andi Shehu me 31 pikë, Emmanuel Emogbo me 25 pikë e 16 kërcime dhe Cedric Council me 18 pikë e 13 kërcime. /Insajderi.com