Ponte Prizreni nuk ka të ndalur, mposht Sigal Prishtinën në kryeqytet

Ponte Prizreni nuk ka të ndalur, mposht Sigal Prishtinën në kryeqytet

Ponte Prizreni ka mposhtur Sigal Prishtinën në kryeqytet me rezultat 70:80 (18:18, 12:27, 15:12, 25:23), në kuadër të javës së 12-të të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketball, njofton Insajderi.

Çereku i parë ishte i baraspeshuar dhe këtë e dëshmon edhe rezultati, i cili ka përfunduar me rezultat të barabartë 18:18.

Periudha e dytë ishte vendimtare në këtë përballje. Mysafirët nga Prizreni e fitojnë këtë pjesë 12:27, për të shkuar në pushim me rezultat 30:45.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e barabartë, 15:12 dhe 25:23, megjithatë, Ponte Prizreni triumfoi në fund me dhjetë pikë diferencë, 70:80, që ishte e shtata fitore radhazi në këtë edicion të Superligës.

Te Sigal Prishtina u dalluan Fisnik Rugova me 19 pikë e 10 kërcime, Daniel Lekndreaj me 12 pikë e tetë kërcime dhe Meriton Ismaili me 12 pikë, kurse te Ponte Prizreni më të mirët ishin Josh Martin me 18 pikë e 18 kërcime dhe Arti Hajdari me 23 pikë.

Sigal Prishtina ka tri fitore dhe nëntë humbje, kurse Ponte Prizreni nëntë fitore dhe tri humbje. /Insajderi.com