Premier League vendos hapjen e stadiumeve me një kufizim të caktuar për ekipet vendase

Premier League vendos hapjen e stadiumeve me një kufizim të caktuar për ekipet vendase

Premier League e Anglisë njoftoi se në kuadër të lehtësimit të kufizimeve kundër Coronavirusit, ekipet vendase do të mund të hapin stadiumet e tyre me një kufizim të caktuar të numrit të tifozëve, njofton Insajderi.

Në një njoftim të publikuar në uebfaqen e Premier League thuhet se kjo do të mund të zbatohet në dy javët e fundit të ligës dhe kështu çdo ekip një ndeshje do të mund të luaj para tifozëve.

Sipas vendimit, në ndeshjet e javës së 37-të që do të luhen më 18 dhe 19 maj, si dhe ndeshjet e javës së fundit që do të luhen më 23 maj të dielën, një numër i kufizuar i tifozëve do të mund të marrë pjesë në stadiume.

Gjithashtu në njoftim theksohet se ndalesa për tifozët e klubit mysafir është vendosur për shkaqe të vështirësisë operacionale pas negociatave të bëra me klubet. Po ashtu është marrë vendimi që numri i tifozëve të ngritet në maksimum.

Në njoftim thuhet se në plan të parë do të jetë siguria e tifozëve, ndërsa klubet kanë plane të caktuara për hyrje dhe dalje nga stadiumet.

Vendimin duhet ta miratojë qeveria e Mbretërisë së Bashkuar më së voni deri më 10 maj. /Insajderi.com