Premierliga për herë të parë me pushim dimëror – gjithçka që duhet të dini

Premierliga për herë të parë me pushim dimëror – gjithçka që duhet të dini

Për herë të parë, në kampionatin elitar anglez do të ketë pushim të dimrit.

Premierliga në sezonin aktual 2019/20 për herë të parë ka implementuar pushimin dimëror për dallim prej ligave tjera, transmeton Insporti

Trajnerët dhe lojtarët janë ankuar për shkak të orarit të ngjeshur dhe ndeshjeve të shumta në stinën e dimrit, andaj tani do të ketë pushim dimëror gjatë sezonit.

Premierliga kësisoj i është përgjigjur ankesave nga trajnerët dhe futbollistët duke plotësuar kërkesën e tyre për një pushim dimëror në vitin kalendarik.

Në futbollin anglez është traditë që të ketë orar të rregullt edhe gjatë festave të fundvitit – me ndeshje që zhvillohen në periudhën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri – ndryshe nga ligat e tjera të kontinentit.

Kjo do të thotë se përderisa futbollistët e ligave tjera shijojnë pushimet në festat e fundvitit dhe relaksohen, në Angli ata përballen me orar të vështirë dhe tejet të ngjeshur.

Ky fakt ka shqetësuar trajnerët si Pep Guardiola, që është deklaruar se periudha festive po i ‘vret’ lojtarët, derisa të tjerë si Jurgen Klopp e Arsene Wenger po ashtu kishin kërkuar pushime.

Vendimi për të implementuar pushimin e dimrit u mor në qershor të 2018-ës pasi zyrtarët e Premierligës, Football Association dhe English Football League arritën në kompromis, që ajo të hynte në fuqi nga 2019-20, raporton Insporti.

Çfarë është pushimi dimëror i Premierligës dhe sa zgjat ai?

Pushimi dimëror i sezonit 2019-20 të Premierligës do të jetë në shkurt të 2020-ës. Do të funksionojë duke ndarë një xhiro të kampionatit në dy vikende – më 8 dhe 15 shkurt.

Kur saktë do të jetë pushimi dhe si do të ndahen ndeshjet?

Pesë ndeshje do të luhen të shtunën, më 8 shkurt, ndërsa 5 ndeshje të tjera të po të njëjtës xhiro do të luhen të shtunën tjetër, më 15 shkurt.

Kësisoj, nuk bëhet fjalë për një pushim të mirëfilltë dhe Premierliga nuk e ka përdour zyrtarisht këtë term. Në vend të kësaj, zyrtarët e ligës i janë referuar këtij pushimi si “pushim i mesit të sezonit”.

Federata e Futbollit e Anglisë (FA) po ashtu ka pranuar që ndeshjet e rrethit të pestë të FA Kupës të zhvillohen në periudhë tjetër.

Tradicionalisht këto ndeshje janë zhvilluar në mesin e muajit shkurt, ndërsa tani do të lëvizin në fillim të muajit mars.

Kompeticionet si La Liga, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1 që të gjitha kanë pushime dimërore gjatë sezonit, dhe së fundmi atë ka filluar ta zbatojë edhe liga e Skocisë.

Në Spanjë, pushimi dimëror fillon para Krishtlindjeve dhe përfundon menjëherë pas Vitit të Ri.

Në Gjermani, ky pushim është më i gjati nga të gjitha ligat pasi fillon rreth një javë para Krishtlindjeve dhe zgjat deri në mesin e janarit.

Ndërkaq, pushimi në Itali zgjat për dy javë në janar, kurse në Francë ai fillon para Krishtlindjeve dhe përfundon para Vitit të Ri. /Insporti.com/