Aventura e Bledi Shkëmbit te Ballkani nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa tifozët kanë filluar të kërkojnë largimin e tij, njofton Insajderi.
Pas eliminimit nga Kupa dhe rezultateve aspak të mira në kampionat, tifozët e Ballkanit kërkojnë rikthimin drejtimin e skuadrës Ismet Munishin, i cili u shkarkua në fund të vitit të kaluar.
Për këtë ka folur edhe presidenti i klubit nga Suhareka, Arsim Kabashi. Ky i fundit në një intervistë për “Zëri.info”, është shprehur se Shkëmbi do të vazhdojë në drejtimin e skuadrës, teksa për tifozët është shprehur se mund ta ftojnë Munishin në kafe nëse e duan kaq shumë.
“Jemi shumë të kënaqur me Shkëmbin. Eliminimi nga Kupa nuk është aspak i mirë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë. Tifozët e kanë të drejtën e tyre. Shkëmbi është trajner i Ballkanit deri në fund të edicionit dhe të gjithë në klub e kanë të qartë një gjë të tillë. Ismet Munishin pasi po e kërkojnë tifozët, le ta ftojnë për kafe, le të vijë në ndeshjen e radhës me Drenicën. Ne e kemi mik Ismetin”, përfundoi Kabashi. /Insajderi.com