Presidenti iranian Rouhani: Ngjarjet në SHBA treguan sa e dobët është demokracia e perëndimit

Presidenti iranian Rouhani: Ngjarjet në SHBA treguan sa e dobët është demokracia e perëndimit

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, në lidhje me incidentin që ndodhi dje në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), pasi mbështetësit e presidentit Donald Trump hynë në Kongres, tha se “Ato që pamë në SHBA dje dhe sot, na treguan se sa e dobët dhe e pasuksesshme është demokracia e perëndimit dhe se nuk ka një themel të fuqishëm”, transmeton Insajderi.

Sipas televizionit shtetëror, Rouhani i cili nëpërmjet videokonferencës mori pjesë në ceremoninë e hapjes së disa projekteve në mbarë vendin, në një deklaratë, vlerësoi zhvillimet e fundit në SHBA, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ato që pamë në SHBA dje dhe sot, na treguan se sa e dobët dhe e pasuksesshme është demokracia e perëndimit dhe se nuk ka një themel të fuqishëm. Megjithë përparimet në shkencë dhe teknologji në këto vende, ne kemi parë që populizmi ka shumë baza”, tha Rouhani.

Ai duke theksuar se presidenti Trump, i cili akuzohet për provokim të ngjarjeve, gjatë detyrës së tij i ka shkaktuar shumë dëme vendit të tij dhe botës. “E pamë që si një njeri populist brenda 4 viteve çfarë probleme i shkaktoi vendit të tij, ka shkelur nderin e vendit të tij dhe ky person çfarë goditje i ka bërë rajonit tonë; Palestinës, Sirisë dhe Jemenit”, u shpreh ai.

Rouhani bëri thirrje që personi që do të vijë në detyrë pas dy javëve në Shtëpinë e Bardhë të përmirësojë këto dëme, duke aluduar për administratën e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Bastisja e Kongresit nga mbështetësi e Trump-it

Dje, pas tubimit para Shtëpisë së Bardhë, mijëra protestues marshuan drejt Kongresit Amerikan të cilët tentuan të hyjnë në ndërtesë duke tejkaluar barrikadat.

Disa nga protestuesit hynë në ndërtesën e Kongresit pak kohë pas përplasjeve të përjetuara me policinë.

Si rrjedhojë në Kongres u ndërpre seanca e miratimit të votimit të Këshillit Zgjedhor për zgjedhjet presidenciale dhe u evakuuan në një vend të sigurt brenda ndërtesës anëtarët e Kongresit dhe zv.presidenti Mike Pence i cili kryesoi seancën.

Presidenti amerikan, Trump, nga llogaria e tij në Twitter u bëri thirrje për “vetëpërmbajtje” mbështetësve të tij që protestuan përpara ndërtesës së Kongresit.

Pas ngjarjeve të ndodhura Trump dha udhëzimin për dërgimin e Gardës Kombëtare në Kongres.

Ndërkohë, gjatë protestave humbën jetën katër persona. Në ngjarje u plagosën lehtë të paktën 14 policë dhe të paktën 52 persona u ndaluan. /Insajderi.com