![Presidenti i Juventusit dyshohet për takime me mafiozë](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2017/01/sulmi.jpg)
Presidenti i Juventus, Andrea Agnelli, do të jetë i detyruar të kujdeset me një hetim të dyfishtë karshi tij, atë të nisur nga Prokuroria e Torinos dhe atë të mbyllur nga Federata Italiane e Futbollit në lidhje me një marrëveshje të dyshuar mes Juventus dhe grupime tifozësh, për të mbajtur qetësinë në stadium, për pastrim parash dhe përfshirje në biznesin e grupeve kriminale.
Ish-prefekti Giuseppe Pecoraro, aktualisht prokuror i Federatës Italiane të Futbollit, shkruan në dokumentin e mbylljes së hetimeve në lidhje me djalin e Umberto-s dhe drejtuesve të tjerë të përfshirë
Me synimin e deklaruar për të mbajtur rendin publik në sektorët ku qëndrojnë tifozët e Juventus, Agnelli nuk pengonte lojtarët e Juventus, drejtuesit dhe punëtorët e tjerë të klubit të kishin kontakte të vazhdueshme dhe të zgjatura me të ashtuquajturit “grupime ultras”, ku përfshihen edhe persona të lidhur me krimin e organizuar, raporton telesport.al
Presidenti ju shpërndan gratis bileta dhe abonime dhe këta persona i shesin në tregun e zi, duke u pasuruar. Kjo garanton sigurinë në stadium, por siguria merret me masa të tjera dhe jo duke favorizuar në mënyrë direkte pasurimin e grupeve kriminale.
Ndërsa akuza e drejtpërdrejtë ndaj Agnelli ishte se: “Ka marrë pjesë personalisht në disa raste në takime me përfaqësues të krimit të organizuar dhe tifozë “ultras”.
Pikërisht kjo fjali është ajo që komprometon më shumë presidentin e Juventus dhe është firmosur nga prokurori Pecararo, i cili ka nisur mbledhjen e provave dhe dëshmive që nga muaji tetor.
Juventus është përgjigjur me takt dhe ka lënë të kuptohet se personi i informuar për situatën është Beppe Marotta, i cili në periudhën e fundit nuk është më mes të preferuarve të Agnelli.
Provat e Pecoraro dhe kolegëve të tij janë të lidhura edhe me dëshmitë e Rocco Dominello, një i penduar i mafias italiane. Gjatë hetimeve të koduara “Alto Piemonte” nuk kishte pasur takime mes mafiozëve dhe drejtuesve të Juventus, por një përgjim telefonik ka ngjallur shumë dyshime.
Në këtë mënyrë, nga korriku në gusht, hetimet u bënë më intensive dhe përfundimi i tyre mund të sjellë probleme penale për Juventusin. Asnjë drejtues bardhezi nuk është i hetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nga ana tjetër klubi i Juventus dyshohet për bashkëpunim dhe jo si pjesë e santazhuar nga grupet kriminale. Ashtu si shkruan prokuroria, përgjimi që i bëri të nisin hetimin ishte më 15 janar 2014.
“Unë shkoj të takoj presidentin Andrea Agnelli në zyrën e tij çdo dy ditë,” – pohonte Fabio Germani, ish-ultras dhe presidenti i shoqatës së tifozëve “Italia Bianconera”, kur fliste me përgjegjësin e biletave të stadiumit, Stefano Merulla, që i përgjigjej: “Por edhe ai ka shkuar… dhe për më tepër e ke çuar ti”. Termi “ai” është përdorur për Dominello, 40 vjeç, i arrestuar më 1 korrik 2016 për tentativë vrasje dhe bashkëpunim me mafien.
Dominello, ish pjesëtar i grupit “Drughi” dhe themelues i grupimit “Gobbi”, kishte marrë në dorë shitjen e biletave në tregun e zi, pikërisht pasi Germani ia kishte prezantuar shefit të “Juventus Stadium”.
Dominello është dënuar me 15 vjet heqje lirie. 40-vjeçari kishte bërë shumë gjëra pa lejen e Germani, në momentin që kishte marrë kontrollin. “Për kë e keni fjalën kur thoni se shkonte të fliste me Andrea Agnelli?” – ishte pyetja e prokurorëve ndaj Germani. “E kam fjalën për Rocco Dominello që shkonte të takohej me Andrea Agnelli sepse e çonte D’Angelo”. – ishte përgjigje e tij.
D’Angelo është shefi i sigurisë së Juventus, njeriu më i besuar e Andrea Agnelli, të cilin e njeh që kur ishte fëmijë pasi babai i tij ka qenë shoferi i Umberto Agnelli. I marrë në pyetje pesë herë gjatë këtij hetimi, më 25 korrik D’Angelo mohoi që e kishte çuar Dominello te presidenti.“Nuk është absolutisht e vërtetë, – tha D’Angelo. – Ndoshta kujtoj vetëm në një rast për Krishtlindje kur disa tifozë më çuan urimet e tyre dhe më kërkuan ta takonin. E kam fjalën për Rocco Dominello dhe Germani. Nuk do t’ia lejoja kurrë vetes të çoja dikë si Rocco te presidenti. Nuk do të lejoja kurrë që një tifoz të shkonte të takohej me presidentin në zyrën e tij. Germeni po gënjen, ashtu si ka bërë gjithmonë.”, kishte thënë D’Angelo.