Presidenti i Iranit sot u bashkua me zyrtarë të tjerë të lartë në akuzimin e Izraelit për vrasjen e shkencëtarit të lartë bërthamor të vendit, një incident që hedh benzinë mbi tensionet në rajon, transmeton Insajderi.
Duke folur një ditë pasi Mohsen Fakhrizadeh u vra nga sulmues të paidentifikuar në periferi të kryeqytetit Teheran, Hassan Rouhani tha se vrasja nuk do të ndikojë në përparimin shkencor të Iranit.
“Edhe një herë, duart e liga të arrogancës globale u njollosën me gjakun e regjimit uzurpator mercenar sionist”, tha ai, duke iu referuar Izraelit.
Ai më tej tha se “incidenti i tmerrshëm terrorist” ndodhi nga “paaftësia” e “armiqve të Iranit” për të ndaluar përparimin dhe zhvillimin e tij shkencor.
Thirrjet për hakmarrje janë rritur në Iran pasi shumë zyrtarë të lartë ushtarakë dhe politikë drejtuan gishtat drejt Izraelit dhe u zotuan për “hakmarrje të rreptë”.
Kjo është vrasja e dytë e profilit të lartë këtë vit që nga janari, kur përmes një sulmi ajror amerikan u vra gjenerali Qasem Soleimani. Zyrtarët në Iran e shohin koordinimin mes Izraelit dhe SHBA-së.
Fakhrizadeh, i cili drejtoi Departamentin e Kërkimit dhe Inovacionit në Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit, u sulmua të premten në qarkun Damavand pranë Teheranit. Sulmuesit thuhet se shpërthyen një automjet para tij dhe më pas qëlluan në drejtim të automjetit të tij, duke e plagosur atë dhe të tjerët me të, raporton Anadolu Agency (AA).
Të plagosurit u dërguan me urgjencë në një spital aty pranë, ku Fakhrizadeh përfundimisht iu nënshtrua plagëve të tij.
Incidenti ka tërhequr zemërim në gjithë Iranin. Të premten në mbrëmje, një numër i madh njerëzish u mblodhën para zyrës së Rouhanit në Teheran dhe kërkuan hakmarrje të ashpër.
Protestuesit brohorisnin parulla si “asnjë kompromis, asnjë dorëzim, vetëm luftë”, duke bërë presion të shtuar mbi qeverinë e cila kishte filluar të zbusë qëndrimet pasi ajo shprehu simpati për administratën e re të SHBA-së.
Shumë zyrtarë të lartë të premten dënuan vrasjen dhe folën për “hakmarrje të ashpër”.
Gjenerali Mohammad Baqeri, shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, akuzoi “terroristët” e lidhur me Izraelin për vrasjen e Fakhrizadeh, duke e quajtur atë një “goditje të rëndë” për mbrojtjen e vendit.
Baqeri, i cili kishte një shoqëri të gjatë me Fakhrizadeh, tha se vrasësit i pret një “hakmarrje e ashpër”. /Insajderi.com