Presidenti Trump pezullon për 60 ditë imigracionin në SHBA

Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të pezulluar imigracionin në Shtetet e Bashkuara për 60 ditë, por me përjashtime për kategori të veçanta.

Presidenti Trump pezullon për 60 ditë imigracionin në SHBA

Presidenti i SHBA Trump e bëri njoftimin në konferencën e përditshme për shtyp për koronavirusin nga Shtëpia e Bardhë.

Në urdhrin ezkekutiv të publikuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë, thuhet se “do të ketë përjashtime për punonjës të mjekësisë dhe punonjës të tjerë të domosdoshëm për të luftuar epideminë, për bashkëshortë dhe fëmijë të mitur të qytetarëve amerikanë dhe disa të huaj të tjerë”.

Në urdhrin ekzekutiv thuhet se “do të ishte e padrejtë që të lejoheshin amerikanët që kanë humbur punën për shkak të koronavirusit, që të zëvendësoheshin nga imigrantë të rinj që vijnë në Shtetet e Bashkuara”.

Të martën Presidenti kishte thënë se urdhri do të vlente vetëm për ata që kërkojnë qëndrim të përhershëm dhe jo për punonjësit e përkohshëm.

Po ashtu ai kishte thënë se pauza 60-ditore në lëshimin e kartave të gjelbra, ishte një përpjekje për të kufizuar konkurrencën për vendet e punës në një ekonomi amerikane të goditur rëndë nga koronavirusi.

Kjo do të përfshinte ata që aplikojnë për kartat e gjelbra të bazuara në punësim dhe bashkim familjar përmes poseduesve të tanishëm të kartave të gjelbra që nuk janë shtetas./voa.