Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka propozuar një ulje prej 21 për qind të ndihmës që Shtetet e Bashkuara u japin vendeve të tjera.
Kërkesa e Presidentit Donald Trump për një buxhet mbrojtjeje prej 740.5 miliardë dollarësh dërguar Kongresit të hënën, përfshin më shumë para për armë bërthamore dhe një rritje të madhe të shpenzimeve për kërkime, që vendi të jetë i përgatitur për luftërat e së ardhmes.
Ky është buxheti më i madh i kërkuar nga Pentagoni në fushën e hulumtimeve gjatë 70 vjetëve, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes. Kërkesa vjen ndërkohë që ushtria synon të ndërtojë aftësi të reja për t’iu kundërvënë fuqisë në rritje të Kinës dhe Rusisë.
Në përparësitë e Pentagonit, kërkesa për fonde për modernizimin e armëve bërthamore u rrit 18 për qind në krahasim vitin e kaluar, ose 29 miliard dollarë shtesë, tha një tjetër zyrtar i lartë i mbrojtjes.
Financimet do të përdoren për të përmirësuar komandën dhe kontrollin e armëve bërthamore si dhe platformat e lëshimit të tyre, siç janë nëndetëset e klasës Columbia, të prodhuara nga firmat Huntington Ingalls Industries dhe General Dynamics apo certifikimi për të instaluar bomba bërthamore në bordin e avionit “stealth” F-35, prodhim i kompanisë Lockheed Martin.
Kërkesat për buxhetin e Pentagonit përfshijnë 69 miliardë dollarë për të financuar luftërat e tanishme dhe nevoja të tjera të Pentagonit.
Buxheti i Marinës u ul me 1 për qind, ose 1.9 miliard dollarë, në 207 miliard dollarë ndërsa Forcat Ajrore kanë një buxhet pak më të lartë.
Propozimi i Presidentit Trump parashikon 79 avionë F-35, një më shumë nga sa ishte kërkuar vitin e kaluar. Por Kongresi vitin e kaluar e rriti numrin e avionëve F-35 në 98 nga 78 që ishte parashikuar në buxhet.
Agjencia e Mbrojtjes nga Raketat (MDA), po shqyrton një shtesë fondesh. Buxheti i saj prej 9.1 miliardë dollarësh përfshin fonde për zhvillimin e një prototipi rakete interceptuese THAAD për mbrojtjen e 48 nga të 50 shtetet e Amerikës.