Erdogan zhvilloi bisedë telefonike me Papa Françeskun, diskutuan në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë

Erdogan zhvilloi bisedë telefonike me Papa Françeskun, diskutuan në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në një bisedë telefonike me Papa Françeskun diskutoi për sulmet e Izraelit ndaj Palestinës, transmeton Insajderi.

Në një deklaratë nga Kryesia e Komunikimeve të Presidencës thuhet se Erdogan, në bisedë ka theksuar se në Palestinë po përjetohet një brutalitet dhe se objekt i sulmeve izraelite nuk janë vetëm palestinezët por të gjithë muslimanët, të krishterët dhe njerëzimi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Okupuesi izraelit i cili pengon qasjen në Xhaminë Al-Aksa dhe në Kishën e Varrit të Shenjtë, që kufizon lirinë e adhurimit, që masakron civilët e pafajshëm në territoret palestineze ka përdhosur edhe dinjitetin njerëzor”, deklaroi Erdogan, duke theksuar se ky brutalitet shkaktar i të cilit është Izraeli kërcënon edhe sigurinë rajonale.

Presidenti Erdogan vuri në dukje se duhet të ndërpriten sa më parë praktikat e paligjshme çnjerëzore të Izraelit të cilat gjithashtu shkelin edhe statusin e Jeruzalemit (Kudsit) dhe se i gjithë njerëzimi duhet të bashkohet përballë Izraelit okupator i cili nuk e sheh të dëmshëm sulmin ndaj vendeve të shenjta.

“Këshilli i Sigurimit nuk ka mundur të tregojë vetëdijen e nevojshme të përgjegjësisë”

Erdogan tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të japë mësim dhe reagim parandalues si dhe në këtë drejtim duhet të ndërmarrë hapa konkretë kundër Izraelit. “Si Turqi i kemi përqendruar përpjekjet në këtë pikë duke zhvilluar një aktivitet diplomatik intensiv në të gjithë platformat ndërkombëtare kryesisht në OKB por që Këshilli i Sigurimit nuk ka mundur të tregojë vetëdijen e nevojshme të përgjegjësisë”, tha ai.

Presidenti turk tha se palestinezët do të vazhdojnë të masakrohen për sa kohë që komuniteti ndërkombëtar nuk ndëshkon me sanksionet e nevojshme Izraelin që kryen këto sulme. “Mesazhet dhe reagimet që do të bëjë Papa Françesku për këtë çështje janë shumë të rëndësishme nga pikëpamja për të kaluar në veprim botën e krishterë dhe komunitetin ndërkombëtar”, tha Erdogan. /Insajderi.com