Duka i Kembrixhit dhe Princi Harry kanë shpalosur detaje të bisedës së fundit që kanë pasur me nënën e tyre, tani gati 20 vite pas vdekjes së saj.
Biseda ishte e shkurtër, sepse djelmoshat dëshironin të vazhdonin të luanin me kushërinjtë e vet, e jo të kalonin kohë duke biseduar në telefon me nënën e cila në atë kohë ndodhej në Paris, raporton The Independent.
Në një dokumentar për Dianën, Princeshën e Walesit, vëllezërit flasin për pendimin e tyre më të madh për faktin se sa e shkurtër ishte biseda e tyre me nënën, ndërsa Harry thotë se është diçka që do të pendohet “për gjithë jetën e tij”.
Princesha Diana kishte vdekur më vonë po atë natë në një aksident me makinë.
“Harry dhe unë ishim në nxitim për t’i thënë ditën e mire, e dini ‘shihemi më vonë’… sikur ta dija se çfarë do të ndodhte, kurrë nuk do të kisha qenë kaq indiferent rreth kësaj dhe gjithçka tjetër,” ka thënë William.
“Por ajo telefonatë më rrinë në kokë, s’më hiqet,” ka shtuar tutje ai.
Edhe Harry tregon për bisedën e tij, edhe pse nuk e mban mend se çfarë ka thënë, por e din pendimin që kishte ardhur më vonë.
“Kur e mendoj është tejet e vështirë. Duke mos e ditur se ajo ishte hera e fundit që do të flisja me nënën time, sa më ndryshe do të kishte qenë ajo bisedë sikur ta kisha edhe idenë më të vogël se ajo do ta humbiste jetën atë natë”, ka thënë ai.
Dokumentari i The ITV “Diana, Nëna Jonë: Jeta dhe Trashëgimia e Saj” do të transmetohet nesër në televizionin britanik. /Insjaderi .com