
Gara për Kupën e Kosovës në futboll ka hyrë në fazën përfundimtare. Sot zhvillohen ndeshjet e kthimit gjysmëfinale, në të cilat Prishtina e Gjilani janë më afër qëllimit për t’u kualifikuar në finale, shkruan Insajderi.com.
Gjilani është nikoqir i Llapit në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Skuadra e trajnerit Zekirija Ramadani në ndeshjen e parë, në “Zahir Pajaziti” kanë fituar me rezultat 2-1, prandaj sot u mjafton edhe barazimi për t’u kualifikuar.

Me rezultat 2-1 dhe po ashtu në udhëtim, në ndeshjen e parë, ka fituar edhe Prishtina ndaj Vushtrrisë. Kryeqytetasit presin të fitojnë edhe sot në “Fadil Vokrri” dhe të sigurojnë finalen dhe eventualisht triumfin në garën e Kupës, përmes së cilës synojnë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
Të dyja ndeshjet fillojnë në orën 15:00. /Insajderi.com