Prishtina ka fituar sfidën e rëndësishme për javën e 32-të në Superligë, ku ka mposhtur Llapin si mysafir me rezultat 1:3, njofton Insajderi.
Prshtina e filloi takimin me dominim, duke kërkuar golin e avantazhit që në start të sfidës. Kështu, mysafirët krijuan të parët epërsinë me golin e shënuar nga Mankenda i cili realizoi në minutën e 15-të të takimit.
Pas vetëm katër minutash, rikthyen baraspeshën nikoqirët kur realizoi Aliu. Mirëpo, miqtë nuk u demoralizuan, pasi tre minuta para se ekipet t’i drejtohen dhomave të zhveshjes, Bekteshi riktheu eprësinë për ekipin e Ramadanit. Me shifrat 2:1 për Prishtinën u mbyll pjesa e parë në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Në pjesën e dytë, vendasit kërkuan përsëri golin e barazimit, mirëpo prishtinasit u treguan të vëmendshëm, pasi vetëm me kundërsulme rrezikonin portën kundërshtare. Kjo taktikë dha frytet e veta kur Otto John shënoi golin e sigurisë për mysafirët, duke çuar shifrat në 1:3, rezultat me të cilin u mbyll takimi.
Me këto tre pikë, Prishtina kalon në krye të klasifikimit në Superligë me 69 pikë, një më shumë se Drita e vendit të dytë dhe dy më shumë se Ballkani i vendit të tretë.
Në anën tjetër, Llapi pas kësaj disfate mbetet në kuotën e 39 pikëve në vendin e pestë. /Insajderi.com