Prishtina fiton sfidën ndaj Trepçës ‘89

Prishtina fiton sfidën ndaj Trepçës ‘89

Prishtina vazhdon me serinë e fitoreve në stinorin pranveror në Superligë, teksa në pesë ndeshjet e fundit kampionale ka shënuar fitore në të gjitha sfidat. Në javën e 31-të, në stadiumin “Fadil Vokrri” Prishtina ka mposhtur me shifrat 3:1 Trepçën ’89, njofton Insajderi.

Edhe pse pjesën e parë e dominoi ekipi nga kryeqyteti, megjithatë fraksioni i parë i ndeshjes u mbyll pa gola.

Pjesa e dytë e takimit prodhoi plot katër gola. Fillimisht do të krijonte epërsinë e parë nikoqirët në minutën e 49-të me anë të Endrit Krasniqit, ndërsa në minutën e 67-të Kryeziu do të dyfishonte rezultatin për vendasit.

Pas vetëm dy minutash, mysafirët do të hapnin takimin kur Muja do të shënonte golin e vetëm për Trepçën ’89 në këtë përballje. Ndërsa, në minutën e 76-të, Kryeziu do të shënonte golin e dytë personal në takim dhe të tretin për Prishtinën, duke çuar shifrat në 3:1, rezultat me të cilin u mbyll takimi në Prishtinë.

Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në pozitën e dytë në ligë me 66 pikë, një më pak se Ballkani kryesues dhe një më shumë se Drita e vendit të tretë. Në anën tjetër, Trepça ’89 ndodhet në vendin e tetë me 35 pikë, dy pikë më shumë se zona e rrezikshme që çon në Ligën e Parë. /Insajderi.com