Prishtina fiton takimin dramatik në Mitrovicë kundër Trepçës ‘89

Prishtina fiton takimin dramatik në Mitrovicë kundër Trepçës ‘89

Prishtina ka fituar në mënyrë dramatike ndeshjen e parë të javës së 22-të në Superligë, njofton Insajderi.

Prishtina ka fituar derbin e ekipeve që po kalojnë formë të lartë në pjesën pranverore në elitën e futbollit kosovar përballë Trepçës ’89 me shifrat 2:1.

Pjesa e parë e takimit në stadiumin ‘Riza Lushta’ u mbyll pa gola, teksa të tre golat e takimit u realizuan në fraksionin e dytë të ndeshjes.

Të parët kaluan në epërsi mysafirët nga kryeqyteti me golin e shënuar nga Dellova në të 52-tën minutë.

Në anën tjetër nikoqirët nuk u dorëzuan dhe kërkuan me ngulm golin e barazimit, gol që do të vinte në minutën e parë shtesë. Autori i golit ishte Muja. Mirëpo, ndeshja nuk u mbyll këtu.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej me barazim dhe secila skuadër të kënaqej me nga një pikë të fituar, kështu nuk mendoi Abazi i cili shënoi golin e fitores për miqtë në minutën e gjashtë shtesë.

Me këtë fitore, Prishtina shkon në 44 pikë duke kaluar përkohësisht në vendin e dytë në tabelë, ndërsa me këtë disfatë, ekipi mitrovicas mbetet në vendin e pestë me 28 pikë. /Insajderi.com