Pas tetë vjetësh, Prishtina ka rikthyer titullin e kampionit në kryeqytet, teksa në sfidën e parafundit kampionale, ka arritur fitore si mysafire e Gjilanit duke e mposhtur me shifrat 1:2, njofton Insajderi.
Që bardhekaltrit kishin udhëtuar për fitore në Gjilan, e dëshmuan me lojën e tyre ofensive, duke rrezikuar disa herë kundërshtarin. Mirëpo, golin e avantazhit miqtë nga Prishtina e shënuan në minutën e 15-të, kur Gledi Mici u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Deri në fund të pjesës së parë, mysafirët shënuan edhe një herë tjetër, bëhet fjalë për Qëndrim Zybën, i cili dyfishoi shifrat pesë minuta para se skuadrat t’i drejtohen dhomave të zhveshjes.
Në fraksionin e dytë të takimit, e tëra që arriti të bënte ekipi i Ismet Munishit ishte goli e nderit, gol të cilin e realizoi Arbër Çyrbja në minutën e 53-të. Deri në fund, skuadrat nuk shënuan më gola, ndërsa nga ky takim, Prishtina edhe me një barazim siguronte titullin e kampionit.
Kështu, për herë të 11-të, Prishtina siguron titullin e kampionit në Superligë, mirëpo fillimi i këtij edicioni nuk i ishte edhe aq i mbarë për kryeqytetasit, pasi gjatë kampionit ishin edhe minus 14 pikë nga vendi i parë.
Pas javës së 35-të, Prishtina ndodhet në pozitën e parë me 78 pikë, Drita ndodhet e dyta me 73 sosh, kur ka mbetur edhe një ndeshje deri në fund të sezonit 2020-2021 në elitën kosovare të futbollit. /Insajderi.com