Prishtina mposht Besën në Pejë, përforcon kreun

Prishtina mposht Besën në Pejë, përforcon kreun

Prishtina ka shënuar fitoren e radhës në stinorin pranveror, teksa në javën e 33-të në Superligë, “viktima’ e radhës e ekipit nga “Fadil Vokrri”, është Besa e cila është mposhtur me shifrat 0:3, njofton Insajderi.

Sfidën më mirë e filluan mysafirët, të cilët rrezikuan që në start portierin nikoqir, mirëpo goli do të vinte në minutën e 19-të nga pika e bardhë, ku Besnik Krasniqi u tregua i saktë, duke çuar shifrat në 0:1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, ekipi i Ramadanit me ngulm do të kërkonte golin e sigurisë, gol që do të vinte në minutën e 66-të, ku sulmuesi nigerian Otto John dyfishoi rezultatin. Mirëpo, sulmuesi nga Afrika nuk u ndal me kaq, pasi 10-të minuta më vonë shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Prishtinën, kështu duke mbyllur takimin me rezultat 0:3.

Me këtë fitore, Prishtina përforcon kreun e tabelës me 72 pikë, tre më shumë se Drita e vendit të dytë dhe pesë më shumë se Ballkani i vendit të tretë, por ekipi nga Suhareka ka një ndeshje më pak të luajtur.

Besa, në anën tjetër është përshëndetur nga Superliga, ngase ndodhet në vendin e fundit me vetëm 12 pikë, kështu nga edicioni i ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Parë. /Insajderi.com