Prishtina ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit në udhëtim 74:79 (19:20, 23:20, 17:22, 15:17), në kuadër të javës së 17-të në EBC Ligën e Femrave, njofton Insajderi.
Takimi ka qenë shumë interesant dhe dramatik, ku u vendos në minutën e fundit. Çereku i parë ishte mjaft i baraspeshuar dhe këtë e dëshmon edhe rezultati 19:20. Lojë e barabartë mes skuadrave u zhvillua edhe në periudhën e dytë, që përfundoi 23:20, duke shkuar në pushim me shifrat 42:40.
Në periodën e tretë, herë njëra skuadër dhe herë tjetra kalonin në epërsi, ku asnjëra nuk arrinte të shkëputej, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 59:62. Në 10 minutat e fundit, vashat prishtinase ishin në epërsi, ku më e larta ishte 62:71, kurse vendaset arritën të ngushtojnë shifrat në 74:77, por pa arritur të bëjnë më shumë dhe takimi përfundoi 74:79 për mysafiret.
Te Vëllaznimi u dalluan Sarah Mgbeike me 23 pikë e 18 kërcime dhe Raven Baker me 27 pikë, kurse te Prishtina u dalluan Enisa Kamerolli me 15 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime dhe Dajan Daniel me 14 pikë e 15 kërcime.
Tani të dy skuadrat kanë grumbulluar nga 28 pikë, aq sa ka edhe Penza, që shënoi fitore ndaj Kastriotit në udhëtim 71:94.
Sfida e fundit do të jetë ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, të shtunën nga ora 16:00. /Insajderi.com