Prishtina tash për tash pa përforcime, Morina tregon planet

Prishtina tash për tash pa përforcime, Morina tregon planet

Prishtina është ndër skuadrat e rralla të IPKO Superligës së Kosovës që nuk ka bërë ndonjë lëvizje gjatë afatit kalimtar, madje po thuaj është e sigurt se nuk do të ketë asnjë ndryshim edhe në ditët në vazhdim.

Drejtori i skuadrës kryeqytetase, Arbnor Morina, ka thënë për Insportin se trajneri Mirel Josa nuk ka kërkuar përforcime.

“Prishtina do të jetë e njëjta me atë që ishte në pjesën vjeshtore. Trajneri nuk ka kërkuar ndryshime në përbërje, prandaj duhet vetëm të punojmë me përkushtim dhe të jemi të gatshëm për pjesën pranverore”, ka thënë Morina për Insporti.com.

Ndërkohë, skuadra po i vazhdon stërvitjet në kryeqytet. “Që nga 7 janari jemi duke stërvitur me shumë seriozitet, në fusha të mbyllura, ambiente të hapura dhe fitnes. Kështu do të vazhdojmë deri më 22 janar, kur do të nisemi për në Antalia”, ka shtuar drejtori i skuadrës bardhekaltër.

Prishtina në Turqi do të qëndrojë dy javë dhe atje do të zhvillojë edhe disa ndeshje kontrolluese.

“Do të qëndrojmë dy javë dhe veç stërvitjeve do t’i kemi edhe tri ndeshje me skuadra ukrainase”, ka theksuar Morina.

Prishtina pjesën vjeshtore të kampionatit e ka mbyllur në pozitën e parë me 40 pikë, një më shumë se Feronikeli që gjendet në pozitën e dytë./Insporti/