Pritshmëri e lartë për dëshminë e Prokurorit të Posaçëm Mueller në Kongres

Ish-prokurori i posaçëm, Robert Mueller që kryesoi hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, pritet të dëshmojë javën që vjen (të mërkurën më 24 korrik) para dy komisioneve të Kongresit në seanca që mund të marrin nota dramatike dhe që do të transmetohen drejtpërdrejt në televizion.

Pritshmëri e lartë për dëshminë e Prokurorit të Posaçëm Mueller në Kongres

Robert Mueller do të dëshmojë përpara dy komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me raportin e tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, dhe gjasa për bashkëpunim dhe pengimi të drejtësisë, që implikojnë Presidentin Donald Trump dhe Shtëpinë e Bardhë, transmeton VOA.

Në maj, zoti Mueller u tha gazetarëve të mos presin shumë përtej asaj që përmban raporti.

“Raporti është dëshmia ime. Nuk do të jepja para Kongresit informacion tjetër përveç asaj që është bërë tashmë publike”, tha ai.

Zoti Mueller arriti në përfundimin se nuk kishte të prova të mjaftueshme për konspiracion të dënueshëm apo koordinim mes Rusisë dhe fushatës së Presidentit Trump për të ndikuar tek zgjedhjet.

Por zoti Mueller ka gjasa të përballet me pyetje të shumta nga demokratët lidhur me vendimin e tij për të mos dhënë gjykim nëse Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte drejtësinë në lidhje me hetimin për Rusinë.

“Nëse do të kishim pasur bindjen që presidenti qartësisht nuk kishte kryer krim, do ta kishim thënë. Por nga ana tjetër, nuk arritëm në përfundimin se presidenti nuk kishte kryer krim. Në bazë të politikave të Departamentit (të Drejtësisë), ndaj një presidenti nuk mund të ngrihet akuzë për krim federal gjatë kohës që është në detyrë”, tha ai.

Presidenti Trump ka komentuar shpesh në Twitter lidhur me raportin dhe shprehja e tij “jo konspiracion, jo pengim”, ka qenë e vazhdimisht e pranishme në tubimet e tij politike.

“Për dy vite e gjysmë, kemi qenë nën mbikëqyrje dhe me raportin Mueller, fituam! Dhe tani duan t’ia fillojnë nga e para. Nuk doli siç dëshironin herën e parë dhe tani duan ta bëjnë prapë”, u shpreh ai në një rast.

Demokratët, përfshirë kryetarin e Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerry Nadler thonë se synojnë ta pyesin me këmbëngulje zotin Mueller.

“Presidenti vazhdimisht u shpreh ‘jo konspiracion, jo pengim’, që në fakt nuk ishte përfundimi i raportit. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme që populli amerikan t’i dëgjojë nga zoti Mueller përfundimet e tij dhe se cilat ishin rezultatet e hetimin dyvjeçar”, tha ai.

Raporti i zotit Mueller, është bërë një temë e njohur mes kritikëve të presidentit dhe përkrahësve të tij. Aktorë të Hollivudit, kohët e fundit organizuar një recitim dramatik të raportit në një shfaqje në Nju Jork me aktorin John Lithgow në rolin e zotit Trump.

Dëshmia publike e zotit Mueller para dy komisioneve të Kongresit, pritet të zgjasë disa orë.