Prokurori që i bëri presion Elez Blakajt rrezikon të bëhet kryeprokuror i Prokurorisë Speciale

Ish-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, gjatë këtij muaji pritet të zgjedhet kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Me 28 tetor pritet që Këshilli Prokurorial i Kosovës ta zgjedhë Kryeprokuorin e Prokurorisë Speciale. Pretendentët kryesor në këtë garë për postin e kryeprokurorit  janë Haki Gecaj e Blerim Isufaj.

Gazeta Insajderi merr vesh se përkrahjen më të madhe brenda Këshillit Prokurorial e ka Blerim Isaufaj. Ai e ka përkrahjen e shumicës së shefave të KPK-së, përfshirë edhe prokuroren Ikramije Bojaxhiu me të cilën ka afërsi shoqërore.

Bojaxhiu në të njëjtën kohë është edhe anëtare e KPK-së dhe vota e saj pro Isufajt, mund të përbëjë konflikt interesi, shkruan Insajderi.

Votimi për kryeprokurorin e ri është dashur të bëhet me 22 tetor, mirëpo është shtyrë për në datën 28 tetor.

Insajderi ka raportuar para disa muajve për një konsensus që ishte arritur brenda Këshillit Prokurorial dhe Prokurorisë së Shtetit.  Sipas këtij konsensusi protagonisti i skandalit të përgjimeve “Dosja e Shefave”, Bahri Hyseni, pritej të zgjedhej kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, në vend të Blerim Isufaj. Kurse Blerim Isufaj, nga ana tjetër pritet të zgjidhet kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ai do ta pasojë Reshal Millakut, i cili ka arritur moshën e pensionit.

Kujtojmë se në momentet e fundit nga gara ishte tërhequr anëtarja e KPK-së, Ikramije Bojaxhiu, për të mos ia rrezikuar Blerim Isufajt votat për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Bojaxhiu ka afërsi shoqërore me Blerim Isufajn që atëhere ishte kryesuesin në largim i KPK-së. Kishte ndodhur pikërisht kjo që pati raportuar Insajderi. Personazhi komik i “Dosjes së Shefave”, Bahri Hyseni, ishte zgjedhur kryesues i KPK-së. 

Pjesa tjetër nga marrëveshja e atëhershme pritet të zbatohet me 28 tetor, kur Isufaj të votohet për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale. Në këtë mënyrëdo të plotësohet edhe mozaiku i “Zaptimit” të Këshillit Prokurorial nga “Klani Pronto”.

Përveç dyshimeve për avansim të parregullt të Blerim Isufajt, ai edhe më herët ka qenë në qendër të kritikave publike, shkruan Insajderi.

Ish-prokurori Elez Blakaj, e akuzonte Blerim Isufajn, për ndërhyrje në rastin e veteranëve. Sipas Blekajt Isufi i kishte bërë presion që të mos e fuste në aktakuzë ish-ministrin e FSK-së në atë kohë, Rrustem Berishajn.

Blakaj e kishte hedhur këtë  akuzë në letrën e dorëheqjes.

“Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!”, kishte shkruar Blakaj.

Blerim Isufaj nuk pati komentuar akuzat e Blakajt. Pas mbledhjes së KPK-së ku ishte diskutuar dorëheqja e Blakajt, Isufaj pati thënë shkurt: “Nuk kam koment absolut, nuk ndërhyj kurrë dhe nuk komentoj më tepër”.

Kujtojmë se bashkëshortja e Rrustem Berishës është punësuar në KPK, në kohën sa ajo drejtohej nga Blerim Isufaj./Insajderi.com

Klani “Pronto” rrit fuqinë dhe ndikimi në sistemin prokurorial

Klani “Pronto” nesër zapton sistemin prokurorial

Klani “Pronto” zapton prokurorinë – Bahri Hyseni zgjedhet kryesues i Këshillit Prokurorial