Klani “Pronto” rrit fuqinë dhe ndikimi në sistemin prokurorial

Burime të Insajderit bëjnë me dije se tashmë është arritur konsensus brenda Këshillit Prokurorial dhe Prokurorisë së Shtetit, që Bahri Hyseni të zgjidhet kryesues i KPK-së, në vend të Blerim Isufajt, të cilit i kalon mandati tre-vjeçar. Hyseni, u bë personazh i njohur dhe komik dy vjet më parë kur Insajderi publikoi përgjimet e Adem Grabovcit dhe të tjerëve. Ishte diskutuar për zgjedhjen e tij si anëtar i Bordit të KOSTT-it, (Transmisioni i Tregut). Në Prokurorinë e Shtetit, pritet të zgjidhet, Jetish Maloku. Këto zgjedhje konsolidojnë fuqinë e klanit “Pronto”, në kohën kur prokurorja, Drita Hajdari po lufton për të dëshmuar fajësinë e të akuzuarve në krye me Adem Grabovcin.

Klani “Pronto” rrit fuqinë dhe ndikimi në sistemin prokurorial

Klani politik “Pronto”, pritet të konsolidojë fuqinë dhe ndikimin e vetë brenda sistemit prokurorial të Kosovës.

Përfundimi i mandatit të Këshillit Prokurorial dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, pritet të sjellë në pozita të larta njerëz të lidhur direkt me “klanin Pronto”.

Këto dy institucione së shpejti pritet të bëhen me drejtues të rinj.

Burime të Insajderit bëjnë me dije se tashmë është arritur konsensus brenda Këshillit Prokurorial dhe Prokurorisë së Shtetit, që Bahri Hyseni të zgjidhet kryesues i KPK-së, në vend të Blerim Isufajt, të cilit i kalon mandati tre-vjeçar.

Hyseni, u bë personazh i njohur dhe komik dy vjet më parë kur Insajderi publikoi përgjimet e Adem Grabovcit dhe të tjerëve. Diskutohej për punësimin e tij si anëtar i Bordit të KOSTT-it, (Transmisioni i Tregut)

Bidseda ishte zhvilluar më 5 nëntor 2011.

“Po, unë s’kom kunkuru o shef”, i thoshte Hyseni, Adem Grabovcit në vitin 2011.

Hyseni nuk e kishte pranuar këtë vend pune. Donte diku tjetër. Megjithatë, linte të hapur mundësinë që kudo që vendosin “Shefat”, ai do të pranonte. Hyseni më vonë ishte bërë prokuror në Prokurorinë Themelore të Ferizajt dhe anëtar i Komisionit për Akte Normative në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Aktualisht është anëtar i Këshillit Prokurorial.

Blerim Isufaj, nga ana tjetër pritet të zgjidhet kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ai do ta pasojë Reshal Millakut, i cili ka arritur moshën e pensionit.

Prokuror në Prokurorinë e Shtetit, pritet të zgjidhet Jetish Maloku, aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Në këtë mënyrë, plotësohet mozaiku i njerëzve të ndikuar nga PDK-ja, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Fuqizimi i “Klanit Pronto”, brenda sistemit prokurorial po bëhet në kohën kur prokurorja speciale, Drita Hajdari, po lufton në Gjykatë për ta dëshmuar fajësinë e të akuzuarve në krye me Adem Grabovcin. Mes të akuzuarve janë edhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj – mik i afërm i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi, është shfaqur në përgjime të Adem Grabovcit, si njëri i lidhur me PDK-në. Në një bisedë mes Grabovcit, dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, diskutohej mundësia që Lumezi të kandidonte për kryetar të Prishtinës.

Por, këshilla e Veselit ishte që Lumezi më shumë u duhej në Prokurori.

Lumezi, është akuzuar nga ish-prokurori, Elez Blakaj për ndërhyrje në rastin “Pronto” dhe atë të veteranëve. Blakaj, ka thënë se Lumezi e kishte qortuar se pse ishte akuzuar ministri, Besim Beqaj.

Lumezi, e ka pranuar se ishte takuar me Beqajn, i cili i ishte ankuar se nuk kishte prova kundër tij për ngritje të aktakuzës. Lumezi, e kishte akuzuar Blakajn, se e kishte mbështetur aktakuzën pa e lexuar fare.

Në takimin e 24 dhjetorit të vitit të kaluar Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për paraqitjen e nominimeve për Kryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sipas njoftimit nga KPK-ja paraqitja e nominimeve bëhej nga data 26 deri me 28 dhjetor 2018.

Në dokumentarin e InDoks “Drejtësia në rrjetin e merimangës” është trajtuar edhe punësimi i të afërmve të këtij prokurori.

Vajza e Malokut, Ilirjana Maloku-Krasniqi është e punësuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor. Edhe se burri i saj, pra dhëndëri Jetish Malokut është prokurori po ashtu. Maloku pati thënë se vajza iu punësua shumë kohë më parë dhe se ai nuk ka ndikuar në të.

Përveç punësimit të vajzës dhe dhëndrit prokuror, vitin e kaluar ishte punësuar edhe djali, Villsoni, si zyrtar ligjor në Gjykatën e Aplelit, në një konkurs të kontestuar. Në këtë konkurs kishin aplikuar mbi 650 persona, por u pranuan vetëm 10 persona. Njëri prej tyre ishte djali i Jetish Malokut.

Kjo gjykatë udhëhiqet nga Hasan Shala, i përzgjedhur po ashtu nga klani “Pronto”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e Insajderit.

Gazeta ka kërkuar të dijë nëse brenda sistemi ka një marrëveshje për vendosjen e këtyre personave në pozitat e lartcekura apo në bazë të meritave. Gazeta edhe pse ka pritur 8 ditë nuk ka marrë përgjigje rreth kësaj çështjeje.

Nga ana tjetër kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka thënë për Insajderin se për këto pozita vendosë Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Është hapur konkursi,  por për zgjedhjen e kryesuesit të KGJK-së dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale me ligj është kompetent Këshilli Prokuororial me vendos jo kryeprokurori. Edhe për rastin e avancimit të prokurorit nga një prokurori në tjetër është kompetent Këshilli Prokurorial edhe komisioni për intervistim e kandidatëve”, ka thënë për Insajderin, Lumezi i cili është anëtar i Këshillit Prokurorial.

Ai tha se nuk mund të ketë marrëveshje për ndarjen e këtyre pozitave.

“Emërimet duhet të bëhen në përputhje me kriteret e rregullores dhe ato të përcaktuar në ligje, por nuk mund të ketë këtu marrëveshje se nuk varet nga një njeri por prej 5-6 njerëzve që janë në komisione edhe mandej prej krejt përbërjes së këshillit e vështirë është me pas një marrëveshje e tillë”, tha Lumezi.

Dosja e Shefave II: Shefi e bën anëtar të KOSTT-it prokurorin Bahri Hyseni pa konkurruar

Blakaj akuzon Lumezin se i ulëriti për Besim Beqajn