Protestat në Irak: Dy persona humbin jetën

Protestat në Irak: Dy persona humbin jetën

Dy protestues, përfshirë një fëmijë, u vranë sot në demonstratat e organizuara në veri të Irakut për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike, transmeton Insajderi.

Burimet thonë se forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve në fshatin Tekye të Sulaymaniyah dhe në qarkun Seyid Sadik.

Sipas burimeve, nga përplasjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve humbi jetën një person, ndërsa katër të tjerë u plagosën në fshatin Tekye.

Përpos kësaj, një fëmijë humbi jetën nga të shtënat e policisë në qarkun Seyid Sadık.

Demonstruesit e zemëruar i vunë zjarrin zyrës së Partisë Demokratike Kurdistan në provincën Halabja.

Asnjë deklaratë zyrtare nuk është bërë ende nga Qeveria Rajonale Kurde (KRG) në lidhje me incidentet.

Dy protestues u vranë dje në demonstratat e mbajtura në provincën Sulaymaniyah.

Më herët gjatë ditës së djeshme qindra demonstrues të zemëruar i vunë zjarrin zyrave të Bashkimit Patriotik të Kurdistanit, Partisë Demokratike të Kurdistanit, Unionit Islamik të Kurdistanit dhe Grupit Islamik për shkak të problemeve ekonomike.

KRG është përballur me vështirësi për të paguar pagat e nëpunësve civilë që nga muaji prilli, kur Bagdadi zyrtar ndaloi pagesat si rezultat i mosmarrëveshjeve mbi menaxhimin e pasurisë së naftës dhe shpërndarjen e të ardhurave të naftës, si dhe të ardhurave nga pikat kufitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Numri i nëpunësve civilë të KRG-së vlerësohet të jetë 1,2 milionë, duke marrë paga totale prej 700 milionë dollarë në muaj. /Insajderi.com