Protestat në Irak, prodhuan një masakër të enjten, duke lënë të vdekur të paktën 44 banorë të vendit.
Vala e protestave nisi më 1 tetor në kryeqytet kundra kryeministrit Adel Abdul Mahdi, i cili mori detyrën vitin e kaluar me premtimin e reformave.
Demonstratat antiqeveritare për reforma të gjithanshme zgjatin prej gati dy muajsh dhe bilanci tragjik rritet me kalimin e ditëve.
Të paktën 33 veta u qëlluan nga forcat e sigurisë me plumba të vërtetë dhe gaz lotsjellës në qytetin e Nasirisë.
11 demonstrues humbën jetën në qytetin e shenjtë të Naxhafit, pasi turma i vuri zjarrin konsullatës iraniane në vend.
Vrasjet e fundit e çojnë mbi 390 numrin e viktimave në këto dy muaj, ndërsa 15 mijë të tjerë raportohet të jenë plagosur.
“Gjithçka është tmerr. Njerëzit këtu po kërkojnë të drejtat e tyre që u janë vjedhur. Për 16 vite i kanë mashtruar, kanë jetuar mes rrënimit dhe luftërave, dhe të rinjtë e çdo brez tjetër janë shkatërruar,” shprehet një protestues.
Populli irakian, veçanërisht të rinjtë, e akuzojnë shefin e qeverisë se nuk ka bërë sa duhet për të ulur papunësinë, për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar shërbimet publike.
Presidenti i Irakut ka thënë se do të thërrasë zgjedhje të reja kur të miratohet kodi i ri elektoral.