Telekomi është në rrezik. Përmbaruesi ia ka bllokuar xhirollogarinë dhe ia ka tërhequr paratë. Ka mbetur pa para. Rrjedhimisht mijëra punëtorë të kësaj kompanie mund të mbesin në rrugë – pa rroga dhe pa vende pune. Por, nëse një zgjidhje nuk gjendet – dhe atë shpejt, rroga-marrësit e kësaj kompanie nuk do rrinë duarkryq. Lamih Balaj, kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit, thotë se ata do të protestojnë – protestë si asnjëherë më parë.
Aseti më i madh shtetëror, Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit në një storie të gjatë dilemash, konfliktesh, gjykimesh, manipulimesh dhe çka jo tjetër.
Bllokimi i xhirollogarive të Telekomit si pasojë e një borxhi rreth 30 milion euro që ka ndaj kompanisë “Dardafon – Z’mobile”, ka rrezik ta bankrotojë këtë ndërmarrje publike nëse nuk ka reagim nga shteti i Kosovës.
Po, kur ishte fillimi i kësaj historie të gjatë e të komplikuar dhe ku qëndron thelbi i problemit në mundësinë tashmë reale të falimentimit të Telekomit?
Në marrëveshjen e vitit 2010 të nënshkruar në mes PTK-së dhe “Dardafon” – Z’Mobile” do të operonte brenda Telekomit dhe do të kishte në dispozicion 100 mijë numra, shkruan Gazeta Online Insajderi.com
Telekomi nga këta numra do të përfitonte 27% të profitit të Z-Mobile, kurse Telekomi obligohej që të kryente të gjitha shërbimet ndaj Z-Mobile të parapara në kontratë.
E kontrata parashihet që Z-Mobile do të shfrytëzonte në tërësi infrastrukturën e Telekomit.
Pasi në tregun kosovar hynë shërbimet 3G dhe 4G, Z-Mobile kishte kërkuar edhe këtë shërbim nga Tekekomi dhe po kërkonte 100 mijë numra shtesë.
Sipas “Dardanfon” këto kërkesa nuk u përfillen, çka do të hapte një kapitull të ri mes dy kompanive – tanimë jo bashkëpunim, por përplasje të vazhdueshme, deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Ishte pikërisht Arbitrazhi që e kishte dënuar me rreth 30 milion euro Telekomin duke e nxjerrë fajtore kompaninë shtetërore përballë “Dardafon.net” me pronar, Blerim Devollin.
Vendimi i Arbitrazhit në favor të “Dardafon” kishte zënë në befasi Telekomin, të paktën kështu dukej nga reagimi pas vendimit nga Gjykata.
“Ky vendim befasues dhe shqetësues për gjithë atë që quhet Telekomi i Kosovës, është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga ndonjë gjykatë në dëm të Telekomit të Kosovës dhe rrezikon seriozisht të ardhmen e korporatës”, ishte reagimi i Telekomit i lëshuar në vitin 2016.
Ish-drejtori i Telekomit, Agron Mustafa, në një paraqitje televizive pati përmendur katër shkaqet për të cilat Dardafon.net e kishte dërguar Telekomin në Arbitrazh. 1) Mungesa e SIM-kartelave fizike, 2) Mos ofrimi i 100 mijë numrave shtesë për Z-mobile nga PTK 3) Mos ofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G dhe 4) Degradimi i shërbimeve të përgjithshme.
Tri pretendimet e para të “Dardafon” ishin aprovuar nga Gjykata e Arbitrazhit.
Kontrata 10 vjeçare në mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile ka rezultuar me 104 milionë euro humbje për Telekomin, ndërsa 79 milionë euro fitim për Z-Mobile.
Bllokimi i xhirollogarive të Telekomit rrezikon humbjen e 2350 e vendeve të punës dhe njëkohësisht Kosova do ta kishte një aset publik më pak.
Për këtë rrezik, Federata sindikale e Punëtoreve të Telekomit, të enjten, ka protestuar para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar mbështetje nga shteti, pasi një fund i hidhur i gjigantit ekonomike do të linte mijëra punëtorë papunë.
Përfaqësues të kësaj sindikate pas protestës janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, të cilit i kanë kërkuar ndihmë institucionale në gjetjen e një mënyre që do ta shpëtonte Telekomin.
Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë për Gazetën Online Insajderi se ka marrë premtim nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, që gjendja në Telekom shpejt do të rregullohet.
Por, në rast se gjendja nuk ndryshon dhe Telekomi shkon kah bankroti, atëherë kjo sindikatë do të fillojë me reagim radikal.
“Në rast që kjo situatë nuk rregullohet, atëherë do të ketë reagim të atillë që nuk është parë asnjëherë deri më tash në Kosovë”, tha Balaj.
Sindikata nuk i sheh si zgjidhje as uljen e pagave e as zvogëlimin e numrit të punëtorëve.
Sipas tyre, kjo kompani ka probleme shumë më të thella që e kanë sjellë këtë destabiliteti financiar.
“Kryeministri, Avdullah Hoti dhe ministri, Blerim Kuçi, janë zotuar se nuk do te ketë largim te punëtorëve nga puna dhe nuk është diskutuar në asnjë rast për uljen e pagave të punëtorëve të Telekomit”, theksoi ai.
I pari i Federatës së Sindikatës tha se shërbimi ndaj klientëve po vazhdon normalisht, pavarësisht gjendjes në të cilin ndodhët kompania ku rreziku më i madh u kanoset punëtorëve të Telekomit.
Javët në vazhdim do të jenë vendimtare për fatin e Telekomit të Kosovës që dikur mbushte arkën e buxhetit të shtetit. /Insajderi.com/