Më shumë se 100 demonstrues u mblodhën jashtë rezidencës së Jeff Bezos në Uashington, të enjten dhe ndërtuan një gijotinë jashtë derës së tij të përparme për të protestuar për pagat e punëtorëve të Amazon, njofton Insajderi.
Nuk është e qartë nëse gijotina e protestuesve kishte një teh të vërtetë apo në ishte funksionale.
Protesta erdhi një ditë pasi pasuria neto e Bezos kapërceu 200 miliardë dollarë, duke e bërë atë personin më të pasur në histori, sipas Forbes. Pasuria e tij është rritur me rreth 85 miliardë dollarë që nga janari, rritur nga të ardhurat e Amazon mes pandemisë COVID-19.
Në një video shihet ish-punëtori i depove të Amazonës Christian Smalls, një kritik i hapur i Amazon, duke i bërë thirrje kompanisë të rrisë pagën e saj minimale nga 15 dollarë në orë në 30 dollarë në orë. Protesta u drejtua nga Kongresi i Punëtorëve Thelbësorë, një grup i themeluar nga Smalls.
“Jepni një arsye të mirë pse ne nuk meritojmë një pagë minimale prej 30 dollarësh kur ky njeri fiton 4,000 dollarë në sekondë,” – tha Smalls.
Smalls u pushua nga puna në depon e Staten Island në Amazon pasi kërkoi standarde më të mira sigurie në mes të pandemisë. Ai tha se u pushua nga puna si hakmarrje për organizimin e një aktiviteti, pasi një punonjës u testua pozitiv për Coronavirusin, por Amazon e mohoi këtë. /Insajderi.com
Burimi: Business Insider