Pse Babagjyshi nuk mund të mos ekzistojë

Santa Claus u duhet të gjithëve: fëmijëve për të justifikuar ritualet (përndryshe të pakuptueshme) të të rriturve dhe të rriturve, sepse ritualet forcojnë traditat e përbashkëta

Pse Babagjyshi nuk mund të mos ekzistojë

Shumë prej nesh – veçanërisht ata që janë më pak se një metër e njëzetë – e kalojnë muajin dhjetor duke pritur për një zotëri skandinav, robust dhe mjekërrosh, i cili shfleton listat e dëshirave dhe lexon listat e veprimeve të mira që janë bërë gjatë vitit, ndërsa përgatitet për një të tur hyrjesh me forcë në shtëpitë nëpër botë. Na kanë mësuar se ai vjen vetëm natën vonë, se zbret nëpër oxhaqe, konsumon qumësht, biskota dhe mandarina, fluturon duke sfiduar gravitetin me slitë, pako dhe drerë. Pse duhet të besojnë fëmijët në të gjitha këto? Përgjigja, siç shpjegon një artikull i botuar në The Conversation, flet shume për psikologjinë jo vetëm të moshës së zhvillimit, por edhe të moshës së të rriturve.

Histori përballë njëra-tjetrës

Edhe pse fëmijët janë të tërhequr me siguri nga personazhet e fantazisë, ata kanë nevojë për shumë “prova” dhe ushtrime të pafund skepticizmi, për ta besuar vërtet. Besimi i tyre ushqehet nga një element mbi të gjitha: veprimet e të rriturve. Në një studim të psikologjisë, të riemëruar “Princesha Lizë”, një grup fëmijësh midis 5 dhe 9 vjeç u shtynë të besonin praninë e një entiteti të padukshëm që ishte ulur në një karrige të zbrazët pranë tyre. Disa u kthyen nga karrigia, të tjerët tundnin duart në ajër për të ndjerë nëse vërtetë kishte një trup, por sjellja e tyre e mëpasshme nuk u ndikua dukshëm nga “prania” e pretenduar.

Në një studim të dytë, fëmijëve të një shkolle fillore iu tregua historia e Magjistares së Karameleve, e gatshme për të shkëmbyer me një lodër, karamelet që atyre u kishin mbetur nga festa e Hellouin. Fëmijët morën udhëzime të sakta se si të kursejnë ëmbëlsirat dhe si të kontaktojnë magjistaren, me ndihmën e prindërve të tyre. Pas një viti, shumë prej tyre ende besonin.

Sasia e investimit

Dallimi midis dy tregimeve është sasia e përpjekjeve të shpenzuara përreth figurës imagjinare. Fëmijëria është ajo periudhë kur pjekuria seksuale shtyhet për t’iu kushtuar mësimit, dhe të mësuarit e diçkaje që nuk dihet, bazohet, mbi të gjitha, në dëshminë. Fëmijët e dinë ndryshimin midis tregimeve të vërteta dhe fantastike dhe vlerësojnë më shumë ato që mbështeten nga provat shkencore. Ata nuk janë të prirur natyrisht të besojnë të mbinatyrshmen – përkundrazi, ata mësojnë ta besojnë atë ndërsa rriten.

Kjo është arsyeja pse ata i kushtojnë vëmendje të madhe veprimeve të modeleve të tyre (të rriturve): ata përpiqen të kuptojnë se sa të rriturit besojnë në atë histori, duke vlerësuar koston që do të kishin veprimet e tyre nëse ajo histori nuk do të ishte e vërtetë. Me fjalë të tjera: pse të rriturit duhet të punojnë kaq shumë në përgatitjen e letrës, pemës, qumështit dhe biskotave, nëse Santa Claus nuk do të ekzistonte? Babagjyshi me siguri do të vijë, përndryshe pse të gjithë, çdo vit, duhet të sillen në një mënyrë kaq të çuditshme?

Kështu bëjnë të gjithë

Nga ana e tyre, të rriturit angazhohen çdo vit në këtë seri ritualesh me kosto të lartë – për angazhim, stres, përpjekje ekonomike – t’i përmbahen një serie komplekse normash dhe ritualesh të përbashkëta kulturore. Në asnjë rast tjetër (mbase as në sferën fetare) nuk është një figurë “me fuqi të mbinatyrshme” e mbështetur nga një rrjet kaq i ndërlikuar traditash. Fëmijët gjithashtu do të kenë ide të pasigurta për atë që është e vërtetë, por ata vëzhgojnë mënyrën tonë të të vepruarit, dhe figurat që zakonisht shoqërohen me një ritual janë gjithashtu ato, sipas psikologjisë, në të cilat është më e lehtë të besosh. / focus-bota.al