“Pse situata e futbollit në Katalonjë dallon me atë në Kosovë?”

“Pse situata e futbollit në Katalonjë dallon me atë në Kosovë?”

Skuadrat e futbollit në Kosovë nuk kanë luajtur në ligën serbe para se të pavarësohej Kosova, ndërsa skuadrat katalanase luajnë në ligat e Spanjës. Kjo e bën situatën e futbollit në rajonin e Katalonjës, të ndryshme me situatën e futbollit në Kosovë – para se të shpallej pavarësia.

Kështu thotë Axel Torres, gazetari dhe komentatori i njohur katalanas, i cili në një intervistë ekskluzive me Gazetën Online Insajderi ka rrëfyer për situatën e krijuar në Katalonjë, pas mbajtjes së referendumit për pavarësi.

Torres, i cili punon si komentator i ndeshjeve të La Ligës spanjolle në televizionin BeIN Sports të Spanjës dhe si gazetar në radion e njohur madrilene Cadena SER, është duke shkruar një libër për futbollin e Kosovës.

“Kur e vizitova Kosovën për herë të parë, liga e futbollit dukej më shumë si një kompeticion amator që luhej në fshehtësi. Terrenet sportive dhe baza e futbollit ishin shumë të dobëta”, rrëfen Axel Torres, për Insajderin.

34-vjeçari i lindur në Barcelonë deklaron se futbolli i Kosovës dhe futbolli i Katalonjës përbëjnë dy realitete të ndryshme. Axel Torres, i cili vizitoi Kosovën para pesë vitesh, tregon edhe për optimizmin e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.

“Duket si një utopi që ekipi kombëtar i Kosovës u pranua në UEFA dhe po luan ndeshje ndërkombëtare – megjithëse, unë duhet ta pranoj se Fadil Vokrri ishte shumë optimist për këtë; unë nuk e besoja, sepse dukej e pamundur, por ai [Fadil Vokrri v.j] kishte të drejtë. Por, Kosova nuk kishte futbollistë të njohur asokohe – edhe pse, Shaqiri, Januzaj dhe Xhaka ishin të famshëm, por ata po luanin për kombëtare të tjera – dhe nuk kishte ekipe të famshme. Katalonja ka FC Barcelonën dhe lojtarë si Piqué. Ka më shumë vëmendje ndërkombëtare”, thotë Torres.

Por, Torres vazhdon edhe më tej, teksa tregon një detaj që dallon Kosovën me Katalonjën.

“Por, kur e vizitova Kosovën për herë të parë, Kosova veçse funksiononte si shtet i pavarur. Ekipet kosovare nuk kanë luajtur në ligën serbe dhe lojtarët kosovarë nuk kanë luajtur për ekipin kombëtar të Serbisë. Kjo është një situatë shumë e ndryshme”, rrëfen gazetari katalanas.

Axel Torres, më parë ka punuar edhe në radiot e njohura spanjolle “Radio COPE” dhe “Radio Marca”. Ai ka shkruar tre libra dhe njihet si ekspert i futbollit ndërkombëtar. /Insajderi.com