PSG mposht në “Old Trafford” Manchester United

PSG mposht në “Old Trafford” Manchester United

Në ndeshjen e parafundit në grup, të zhvilluar në grupin H në Ligën e Kampionëve, mes Manshester United dhe PSG, fitore kanë shënuar këta të fundit me shifrat 3:1, njofton Insajderi.

Në kryendeshjen e të mërkurës mbrëma, në xhiron e pestë në grupe, PSG ka arritur të arkëtojë tre pikë shumë të rëndësishme nga vizita në Angli.

Pas vetëm gjashtë minutash lojë, Neymar kaloi në epërsi miqtë, ndërsa barazoi rezultatin për nikoqirët, Marcus Rashford (32’). Me rezultat të barabartë 1:1 u mbyllën 45’ minutat e parë të ndeshjes.

Në pjesën e dytë, u shënuan edhe dy gola nga mysafirët, ndërsa u regjistrua edhe një karton i kuq nga vendasit.

Po zhvillohej minuta 69-të e ndeshjes, kur mbrojtësi brazilian, Marquinhos riktheu epërsinë e francezëve, ndërsa një minutë më vonë, mesfushori brazilian i United, Fred u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, kështu duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë në fushë.

Kur ndeshja pritej të mbyllej 2:1 për miqtë, në skenë doli përsëri Neymar, duke shënuar dopietë në këtë takim dhe për rezultatin final, Manchester United 1:3 PSG.

Me këtë fitore të PSG-së, tani në grupin H tre ekipe kanë nga nëntë pikë, Manchester United, PSG dhe RB Leipzig, ndërsa në fund ndodhet Basaksehir me tre pikë. /Insajderi.com