Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës njofton se pasi nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Financave lidhur me kërkesat e adresuara, do të vazhdojë grevën e pezulluar të datës 20 maj 2021, përcjell Insajderi.
Sipas njoftimit, greva do të rifillojë të mërkurën e 14 korrikut, nga ora 09:00 deri në 12:00, duke i ndërprerë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit.
“Greva do mbahet në të gjitha Drejtoritë e Administratës Tatimore të Kosovës. Arsyeja për mbajtjen e kësaj greve janë sqaruar edhe në njoftimet paraprake. Kërkesat tona të adresuara janë si në vijim: 1. Krijimi i kushteve të punës; 2. Propozim ndryshimi i statusit të Administratës Tatimore të Kosovës; 3. Kompenzimet tjera të shpenzimeve (sipas kërkesave paraprake)”.
“Greva është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe do të vazhdojë duke u mbështetur edhe në Ligjin nr. 04/L-011, për Organizimin Sindikal në Kosovë, Ligjin për Greva nr.03/L-200, si dhe duke u bazuar në Statutin e SHSPATK-së”, thuhet në njoftim./Insajderi.com