Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin pretendon se disa fuqi e kanë përdorur opozitarin rus, Alexei Navalny kryesisht në këtë periudhë kur në Rusi janë shfaqur efektet negative në ekonomi, transmeton Insajderi.
Në takimin që mbajti pak kohë më parë me kryeredaktorët e përgjithshëm të institucioneve mediatike ruse, Putin ka folur lidhur me protestat në Rusi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në pjesët e publikuara në kanalin shtetëror “Rossiya 24”, Putin e ka cilësuar si “figurant” opozitarin rus Navalny. Ai tha se Navalny është përdorur nga disa fuqi, kryesisht në këto ditë kur në vend situata socio-ekonomike nuk është e mirë.
“Ashtu si në të gjithë botën, përdorin këta figurantë në një kohë kur njerëzit janë të lodhur, të pakënaqur dhe me zemërim të akumuluar për kushtet në të cilat jetojnë, përfshirë edhe nivelin e të ardhurave në Rusi”, tha Putin.
Më tej ai tërhoqi vëmendjen se edhe në Evropë, SHBA dhe në vendet e tjera këto kushte negative përdoren nga fuqitë kundërshtare.
Duke shpjeguar se vaksina kundër koronavirusit (COVID-19) dhe armët e reja që ka zhvilluar Rusia e kanë zemëruar Perëndimin, Putin tha se Perëndimi po zhvillon një politikë rrethuese kundër Rusisë. Sipas tij, kjo është arsyeja pse armiqtë e mundshëm përdorin ata që kanë ambicie për pushtet për interesat e tyre kundër Rusisë.
“Rritet ndikimi i Rusisë në ish-vendet sovjetike”
“Me stabilizimin e situatës në vend, pasi mora detyrën filloi politika e rrethimit kundër Rusisë”, theksoi Putin i cili vuri në dukje se me fuqizimin e vendit të tij këto politika vazhduan në mënyrë edhe më të fuqishme.
Putin tha se ndikimi në rritje i Rusisë në vitet e fundit në ish-vendet sovjetike ka shkaktuar shqetësim. “Pavarësisht çdo gjëje, së bashku me të gjitha vështirësitë ndikimi ynë në ish-vendet sovjetike po rritet. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik ata duhet të kuptonin formimin e shteteve të pavarura me të gjitha pasojat”, tha presidenti rus.
Më tej Putin shtoi se me arsyetimin e uljes së tensioneve në botë, do të bëhen përpjekje për ta nxjerrë Rusinë nga ish-vendet sovjetike. /Insajderi.com