Putin: Nuk dua ta fyej Trumpin, por ai nuk na ka interesuar

Kryetari i Rusisë Vladimir Putin thotë se është “plotësisht qesharake” ajo se disa njerëz mendojnë se Rusia ka mundur të “ndikojë në mendimin e miliona amerikanëve gjatë zgjedhjeve të vitit 2016”.

Putin: Nuk dua ta fyej Trumpin, por ai nuk na ka interesuar

“Përzierja në punët e brendshme të SHBA – a mendoni vërtetë se dikush kishte mundur të ndikojë në SHBA dhe zgjidhjen e miliona amerikanëve nga territori i Rusisë. Kjo është plotësisht qesharake”, ka thënë kryetari rus në intervistën dhënë për “Fox News”.

Ai ka demantuar se ka informata komprometuese për presidentin amerikan Donald Trump, duke shtuar se Rusia nuk ka resurse ta “përcjellë” Trumpin edhe sikur të kishte dashur.

Ai mendimin e vet e ilustroi duke thënë se Forumi Ekonomik në Shën Petersburg tërheqë më shumë se 500 liderë afaristë, shumica prej të cilëve janë biznesmenë më të mëdhenj se Trumpi.

“A mendoni vërtetë se shërbimet tona speciale organizojnë mbikëqyrje për çdonjërin prej tyre? Për dallim nga ju (SHBA) ne këtë nuk bëjmë. Nuk kemi resurse të mjaftueshme. Nuk kemi njerëz të mjaftueshëm të organizojmë gjendjen e kontrollit total. Kjo nuk është pjesë e planit tonë dhe është e qartë se nuk kemi bërë diçka të tillë në lidhje me zotëri Trumpin.

Putin është përgjigjur në konstatimin e “Fox News” se demokratja Nancy Pelosi ka pretenduar se dobësia e Trumpit para Putinit do të thotë se rusët kanë ndonjë informatë “personale, financiare apo politike” komprometuese mbi presidentin amerikan.

“Nuk dëshirojë ta fyej presidentin Trump nëse e them këtë – ndoshta tingëllon si e pahijshme – por para se ka thënë se do të kandidohet për president, ai nuk na ka interesuar”, ka thënë Putin për “Fox News”./Insajderi.com.